Një bashkëpunim i rrallë kulturor mes Kosovës dhe Afrikës së Jugut do të kulmojë këtë të premte, më 17 tetor, në Teatrin e Qytetit në Gjilan, me premierën e shfaqjes “Nën hijen e një peme u ula dhe qava”, një prodhim i Qendrës Multimedia (Prishtinë) dhe The Market Theatre (Johanesburg), në bashkëpunim me disa partnerë evropianë.
Shfaqja, që do të nisë në orën 20:00, është ndërtuar si një udhëtim emocional që trajton temat e faljes, pajtimit dhe shërimit shoqëror, duke bashkuar rrëfimet e dy vendeve që kanë kaluar nëpër periudha të dhimbshme historike – Kosovën dhe Afrikën e Jugut, përcjell Telegrafi.
Në skenë do të ngjiten aktorët shqiptarë Ilire Vinca, Arben Bajraktaraj dhe Ema Andrea, përkrah aktorëve nga Afrika e Jugut Gontse Ntshegang, Kensiwe Tshabalala dhe Les Made. Shfaqja luhet në anglisht, zulu dhe shqip, me titra në shqip.
Regjisorja Blerta Neziraj dhe autori Jeton Neziraj, në bashkëpunim me dramaturgun Greg Homann, sjellin një vepër që lidh dy momente të mëdha të historisë:
– Aksionin e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë (1990), kur u zgjidhën mbi 1,200 raste gjakmarrjeje;
– dhe Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin në Afrikën e Jugut (1996), që synonte shërimin e plagëve të aparteidit.
Dramaturgu Greg Homann, njëherësh drejtor artistik i Market Theatre Foundation, e ka përshkruar këtë proces krijues si: “Një shkëmbim të vërtetë zërash mes Afrikës së Jugut dhe Evropës”.
Ndërkaq autori i dramës, Jeton Neziraj, thekson se vepra hap një debat më të thellë për kuptimin e faljes dhe mundësinë e pajtimit: “Duke analizuar pse dhe si falin njerëzit, ne gjithashtu shtrojmë për diskutim pyetjen më të madhe: në çfarë rrethanash është i mundur pajtimi, midis njerëzve dhe kombeve.”
Premiera mbahet më 17 tetor në Gjilan, ndërsa shfaqjet vijuese do të jenë më 18 tetor në të njëjtin teatër, më 22, 23 dhe 24 tetor në Teatrin ODA në Prishtinë, dhe më 29 tetor 2025 në Teatrin “Bekim Fehmiu” të Prizrenit, në kuadër të Kosovo Theatre Showcase. /Telegrafi/