Deputeti Veton Berisha ka ngritur shqetësime të mëdha për fenomenin në rritje të fëmijëve lëmoshëkërkues nëpër qytetet e Kosovës, veçanërisht në kryeqytet.
Përmes një deklarate të drejtpërdrejtë për emisionin “Kiks Kosova”, ai theksoi se kjo dukuri po ndodh haptas “në sy të të gjithëve”, përfshirë edhe institucionet që janë të thirrura për të vepruar.
“Ka shumë fëmijë pa mbikëqyrje prindërore që bredhin rrugëve e kërkojnë lëmoshë, ndërsa policët, që janë aty për të ruajtur ligjin, nuk bëjnë asgjë. Kjo po ndodh në sy të institucioneve dhe të njerëzve që kanë për detyrë të reagojnë,” tha Berisha.
Ai kritikoi ashpër mungesën e ndërhyrjes nga ana e Policisë së Kosovës, por edhe neglizhencën e mekanizmave socialë dhe të organeve komunale, duke i quajtur bashkëfajtorë në heshtje për degradimin e gjendjes sociale të fëmijëve.
Tutje, Deputeti kërkoi reagim urgjent institucional, duke theksuar se këta fëmijë nuk janë thjesht viktima të varfërisë, por edhe të një sistem që ka dështuar të ofrojë mbrojtje minimale.
“Ne nuk mund të pretendojmë se jemi një shoqëri funksionale kur i shohim fëmijët në trafik, në rrugë, në semaforë, dhe kalojmë pranë tyre sikur të ishin të padukshëm. Heshtja e institucioneve është braktisje,” shtoi ai.
Berisha u bëri thirrje të gjitha institucioneve që të trajtojnë këtë çështje me prioritet të lartë, dhe të krijojnë mekanizma efektivë për mbrojtjen e fëmijëve në rrezik. /Klankosova.tv
The post “Në sy të policisë dhe shtetit”, Veton Berisha ngre alarmin për fëmijët lëmoshëkërkues (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.