Në Shtime u vu gurthemeli i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, në sipërfaqe rreth tre mijë metra katrorë, ndërsa do të investohen rreth 2.4 milionë euro.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bëri të ditur se ky objekt parashihte të kryhet për dy vjet e gjysmë.
“Një zotimi yni dhe një pritje e nevojë e kamotshme e qytetarëve të Shtimes. Do t’i ketë gjithsej rreth 3 mijë metra katrorë. Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare suterreni, përdhesja dhe kati i parë secili do të jetë përafërsisht nga një mijë metra katrorë. Në suterren do të jenë laboratori dhe radiologjia, në përdhes do të jetë trajtimi mjekësor, urgjenca, vaksinimi dhe imunizimi. Ndërkaq, në katin e parë do të jetë administrata dhe stomatologjia. Kostoja është afër 2.4 milionë euro. Punimet do të realizohen përbrenda një periudhe 30 muajshe apo dy vjet e gjysmë”, tha Kurti.
Ndërsa, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se ky do të jetë gurthemel për për shërbime shëndetësore cilësore për qytetarët e Shtimes.
“Ne si MSH përveç në infrastrukturën spitalore po vazhdojmë me investime të shumta edhe në nivelin primar, sepse niveli primar është niveli, ku shumica e qytetarëve kërkojnë shërbime shëndetësore dhe sot jam jashtëzakonisht i lumtur që hodhëm gurthemelin për QKMF në Shtime, në praninë e shumë profesorëve, të cilët i kanë dhënë shumë këtij qyteti. Ky do të jetë gurthemel për një shendetësi moderne për shërbime shëndetësore cilësore për të gjithë qytetarët e Shtimes”, tha ai
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemal Aliu, tha Shtimja me objektet infratrukturore po ndryshon.
“Punët e mira e të mbara objektet edhe veprat infrastrukturore që i japin Shtimes kuptim e bëjnë qytet për së mbari dhe nuk kanë të ndalur, ashtu siç jemi zotuar bashkërisht: Shtimja po ndryshon për së mbari dhe po e merr atë që ne e kemi quajtur fizionomi urbane”, tha Aliu.

