Në Podujevë ka nisur ndërtimi i dy anekseve të reja shkollore, që do të shtojnë ndjeshëm kapacitetet për nxënësit e qytetit. Gurthemeli për ndërtimin e aneksit të Shkollës “Ibrahim Rugova” dhe “Enver Maloku” u vendos sot në dy ceremoni të ndara, ku morën pjesë kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, drejtori për Arsim, Avni Fetahu, stafi pedagogjik, nxënës dhe prindër, përcjell Telegrafi.
Kryetari Bulliqi tha se ky është një investim i rëndësishëm për zhvillimin e arsimit në komunë, duke theksuar se qëllimi kryesor është krijimi i kushteve për mësim gjithëditor dhe cilësi më të lartë në procesin edukativo-arsimor.
“Me këto projekte po zgjerojmë kapacitetet shkollore dhe po përmirësojmë cilësinë në arsim, sepse besojmë se investimi më i vlefshëm që mund të bëjmë është ai në arsim dhe në fëmijët tanë”, tha Bulliqi.
Sipas njoftimit nga Komuna, vlera e përgjithshme e investimit është rreth 1.2 milionë euro, dhe financohet plotësisht nga buxheti komunal.
Ndërkohë, javën e kaluar ka filluar ndërtimi edhe i aneksit të Shkollës “Naum Veqilharxhi” në Llapashticë të Epërme, duke e bërë këtë periudhë ndër më intensive për investime në infrastrukturën arsimore në Podujevë. /Telegrafi/