Korporata Energjetike e Kosovëska ka dalë me një sqarim përmes së cilit ka tentuar ta demantojë KESCO-n rreth kolapsit energjetik.
KEK-u thekson se operimi i njësive të saja prodhuese vazhdon normalisht dhe nuk ka asnjë kolaps prodhimi.
“Njësitë e Termocentralit “Kosova A” dhe “Kosova B” janë të stërvjetruara dhe përballen me defekte teknike të paplanifikuara dhe të vështira për t’u parashikuar me saktësi. Megjithatë, ekipet tona teknike janë në gatishmëri të plotë dhe reagojnë me profesionalizëm dhe përkushtim të menjëhershëm për çdo situate”.
“Njësia A3 është rikthyer në operim dhe po funksionon normalisht. Njësia B1 parashihet të rikthehet brenda 48 orëve, ndërkohë që po punohet maksimalisht për rikthimin në operim edhe të njësive të tjera të Termocentralit “Kosova A” në ditët në vijim”.
“Edhe pse dje nuk është bërë nominimi për furnizim me energji, kjo është pasojë e pasigurisë së lartë teknike dhe kushteve që e bënin rikthimin e njësisë A3 pothuajse të pamundur. Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe të pandërprerë të stafit teknik, kjo njësia është rikthyer sot në operim dhe është në prodhim të rregullt.”
“Njësia B1 nuk është nominuar për shkak të vështirësive teknike që lidhen me rritjen e humbjeve të ujit në kaldajë, rrjedhjet e avullit në sistemin e gypave dhe sinjalizimin e një defekti në filtrin elektrik. Pavarësisht përpjekjeve maksimale për ta mbajtur në operim, ndalja e saj është planifikuar të ndodhë në orët e para të mëngjesit të 21.06.2025, me qëllim të evitimit të ndonjë avarie më të madhe apo të paparashikueshme që mund të cenonte sigurinë teknike të njësisë dhe sistemit në tërësi.
KEK sh.a. është duke angazhuar të gjitha kapacitetet për sanimin e situatës dhe rikthimin e njësisë B1 në operim brenda afatit të parashikuar prej 48 orësh, në varësi të shkallës së dëmtimeve të gypave që duhet të zëvendësohen në kaldajë”, theksohet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
KESCO gjatë ditës tha se është informuar për një mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike që pritet të ndodhë nesër dhe në ditët në vijim.
“Në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit”, u tha mes tjerash në njoftimin e saj.
The post Në operim vetëm njësia A3, por KEK-u tenton ta demantojë KESCO-n për kolapsin energjetik appeared first on Klan Kosova.