Në moshën 51-vjeçare, Heidi Klum mbylli me shkëlqim sfilatën e Parisit – publiku në këmbë për të

Në moshën 51-vjeçare, Heidi Klum mbylli me shkëlqim sfilatën e Parisit – publiku në këmbë për të

Një “nuse boho” në pistën e modës së lartë: momenti që shënoi një kapitull të ri në karrierën e saj

Ylli gjerman Heidi Klum shkaktoi surprizë të madhe në Javën e Modës në Paris, duke “mbyllur” sfilatën e Vivienne Westwood për sezonin pranverë/verë 2026, një moment që do të mbetet i paharrueshëm në karrierën e saj shumëvjeçare.


Vetëm pak ditë më parë, ajo kishte sfiluar për L’Oréal Paris, përkrah ambasadoreve të tjera të njohura të brendit si Kendall Jenner, Jane Fonda dhe Eva Longoria. Por, ndonëse ai moment kishte shkëlqimin e vet, paraqitja e saj në pistën e Westwood-it i tejkaloi të gjitha pritjet.

Sipas Glamour Magazine, kjo ishte herën e parë që Heidi Klum “mbyllte” një sfilatë në Paris Fashion Week, një nder që u rezervon vetëm emrave më të respektuar në industrinë e modës, transmeton Telegrafi.

Nuse për t’u kujtuar

Modelja 51-vjeçare, që prej dekadash ruan statusin e një ikone të elegancës, magjepsi publikun me një fustan boho ekstravagant, të punuar me dorë, me korse të bardhë me shkëlqim dhe fund me prerje asimetrike.

Pamjen e kompletoi me taka të larta ngjyrë kafeje, flokë të lëshuara me onde të buta dhe një grim të ndritshëm që reflektonte stilin tipik Westwood, romancë, guxim dhe art i qëllimshëm i parregullt.

Në sfond tingëllonte kënga “Das Karwendellied” e bendit austriak Zillertaler Schürzenjäger, ndërsa dizajneri Andreas Kronthaler, bashkëshorti dhe trashëgimtari artistik i Vivienne Westwood, ia dorëzoi Klumit një buqetë lulesh në shenjë mirënjohjeje. Jehona e publikut dhe buzëqeshja e saj e sinqertë e bënë momentin edhe më emocional.

Një nder i madh në botën e modës

Ata që ndjekin botën e modës e dinë se çdo sfilatë përkufizohet nga dy momente kyçe: hapja dhe mbyllja e saj.

Modelja që e hap, përcakton tonin dhe atmosferën; ajo që e mbyll, shënon kulmin dhe përmbylljen e koleksionit. Prandaj, të “mbyllësh” një sfilatë në Paris është një nder i madh dhe simbol prestigji profesional.

Me këtë paraqitje, Heidi Klum dëshmoi se edhe pas më shumë se 30 vjetësh në industrinë e modës, ajo mbetet në formë të shkëlqyer – një ikonë që bashkon përvojën, hijeshinë dhe karizmën, duke e bërë çdo dalje të saj një spektakël më vete. /Telegrafi/