Në kuadër të aktiviteteve të muajit tetor, që njihet si muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, sot në Mitrovicë është mbajtur marshi tradicional për luftimin e kësaj sëmundjeje.
Marshi nisi nga objekti i Komunës së Mitrovicës, për të vazhduar nëpër sheshin “Isa Boletini” e deri tek sheshi “Adem Jashari”, ku pjesëmarrësit përçuan mesazhin e solidaritetit dhe rëndësisë së kontrollave të rregullta shëndetësore, përcjell Telegrafi.
Në këtë aktivitet simbolik morën pjesë drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Fahri Shabani, drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Igballe Islami, asambleistë komunalë, përfaqësues të QKMF-së, Policia e Kosovës, organizata joqeveritare, si dhe nxënës dhe staf i shkollës së Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda”.
Aktiviteti u organizua nga Drejtoria për Shëndetësi në bashkëpunim me QKMF-në, Grupin e Grave Asambliste dhe në koordinim me institucione e organizata të tjera që veprojnë në komunë.
Përgjatë gjithë muajit tetor, Drejtoria e Shëndetësisë ka zhvilluar një sërë aktivitetesh sensibilizuese, me qëllim ngritjen e vetëdijes për rrezikun që paraqet kanceri i gjirit dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, që shpesh është vendimtar në shërimin e pacientëve. /Telegrafi/