Në Liqenin e Ohrit prej ditësh derdhen ujëra më ngjyrë të errët, qytetarët shprehen të shqetësuar

Në Liqenin e Ohrit prej ditësh derdhen ujëra më ngjyrë të errët, qytetarët shprehen të shqetësuar

Ujë me ngjyrë kafe të errët prej ditësh derdhet në ujërat e Liqenit të Ohrit, pranë lagjes Voska në Ohër. Qytetarët janë të shqetësuar për këtë gjendje, pasi e gjithë ajo zonë përdoret për sport dhe rekreacion. Sistemi kolektor jo funksional është problem që vazhdon prej shumë vitesh. Derdhja e ujërave fekale në liqen është një dukuri e shpeshtë, megjithëse para disa vitesh në disa vende sistemi ishte sanuar dhe riparuar.


“Gjë e tmerrshme, nuk është vetëm këtu, ka në më shumë vende, e askush nuk ndërmerr asgjë. Vetëm para zgjedhjeve – kështu do të jetë, ashtu do të jetë. Shëtisni këtu dhe do të shihni se gjithçka është kaos, nuk ka aspak higjienë, as ujërat fekale nuk janë mbledhur. Më tutje ka një lum që derdhet, atje të shihni si është, është tmerr. Ka turistë dhe mëkat është që një perlë e tillë të shkatërrohet”, tha një qytetar.

“Duhet të zgjidhet ai problem, sepse nuk është mirë për notarët që lahen këtu, uji po ndotet. Në përgjithësi edhe për popullin këtu nuk është mirë dhe kjo duhet të zgjidhet. Kam nipër që lahen këtu, në liqen, dhe hasim në papastërti. Kjo shihet qartë, nuk është diçka e fshehtë”, u shpreh një tjetër qytetar.

“Është për të ardhur keq ta shohësh kështu, si është lënë pas dore i gjithë ky vend. Kam parë një kanal që del direkt në liqen. Duhet shteti dhe pushteti politik që është këtu ta zgjidhë”, deklaroi një banor.

“Nuk e lëshojnë kolektorin, vetëm një pompë punon dhe i gjithë kanalizimi futet në ujë. Mendoni se kjo është keq për turizmin? Normalisht, s’kanë parë, nëse shohin nuk do të vijnë më. Motorët atje duhet të punojnë, jo vetëm një motor”, u përgjigj një tjetër banor.

Nga Ndërmarrja Publike “Sistemi kolektor”, thonë se uji nuk ka qenë i ndotur, por buron nga pompimi i ujit të krijuar gjatë aktiviteteve ndërtimore. Në terren kanë dalë inspektorati kompetent, si dhe ekipet e ndërmarrjeve publike, me qëllim që të kontrollohet gjendja dhe të merren masa. Aktivistët për mbrojtjen e mjedisit vlerësojnë se Liqenit të Ohrit i nevojitet një sistem kolektor krejtësisht i ri. Sipas tyre, kjo është më shumë se e domosdoshme, pasi kolektori ekzistues është projektuar me kapacitet për 60.000 banorë.

Mirëpo, vitet e fundit me urbanizimin masiv dhe rritjen e numrit të banesave, numri i njerëzve është disa herë më i madh, prandaj kolektori nuk mund ta përballojë presionin. Pjesa nga “Elen Kamen” deri në Radozhdë në Strugë ende nuk është e mbuluar me asnjë kolektor, njësoj si Tërpejca, Gradishta dhe Lubanishta në Ohër, të cilat ende funksionojnë me gropa septike. Me sistemin kolektor nuk janë të lidhura as një numër i madh kapacitetesh hotelierike. /Alsat/