Komuna e Lipjanit ka nisur punimet për ndërtimin e lagjes së re banesore që do t’u dedikohet familjeve të kategorive të dala nga lufta. Kryetari i komunës, Imri Ahmeti, së bashku me bashkëpunëtorët dhe përfaqësuesit e kompanisë ndërtuese, mori pjesë në fillimin e përgatitjes së terrenit për këtë projekt të rëndësishëm social, përcjell Telegrafi.
Në fjalën e tij, kryetari Ahmeti theksoi se projekti synon të ofrojë strehim të denjë dhe kushte moderne për familjet e dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Po ndërtojmë një lagje të re, të bukur dhe me kushte moderne, e cila do të ofrojë strehim të denjë dhe mundësi të reja për familjet e dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së. Kjo lagje do t’i japë qytetit një pamje më të mirë, por mbi të gjitha do të sjellë qetësi dhe siguri për shumë familje. Ky është vetëm një hap tjetër në rrugën tonë të përkushtimit dhe punës konkrete”, tha Ahmeti.
Lagjja e re do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 45,000 metrash katrorë, ku do të ndërtohen rreth 100 njësi banesore. Banesat do t’u jepen falas për shfrytëzim afatgjatë përfituesve, si pjesë e angazhimit të komunës për të përmbushur zotimet ndaj atyre që kanë dhënë shumë për lirinë e vendit.
Ky projekt shënon një tjetër hap të rëndësishëm të Komunës së Lipjanit në krijimin e kushteve më të mira të jetesës dhe mbështetjen e kategorive që kanë kontribuar për pavarësinë e Kosovës. /Telegrafi/