Në Istog është vendosur sot gurthemeli i fabrikës së barnave “Pharmabel”, një investim prej 8 milionë eurosh që pritet të krijojë 150 vende të reja pune brenda 18 muajve të ardhshëm.
Ky projekt, i cili do të zhvillohet në fshatin Dubravë, po realizohet nga biznesmenë të diasporës shqiptare në Francë, në bashkëpunim me investitorin Hazis Vardar, duke u konsideruar si një shembull i rrjetëzimit të suksesshëm të bizneseve shqiptare, në krye me Naim Dedushaj.
Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, tha se ky investim shënon një etapë të re të zhvillimit ekonomik të qytetit.
Ai theksoi se hapja e fabrikës do të kontribuojë jo vetëm në punësim, por edhe në profilizimin e Istogut si një qytet inovativ dhe atraktiv për investime.
“Pharmabel” pritet të nisë prodhimin pas përfundimit të fazës ndërtimore, duke sjellë standarde të reja në industrinë farmaceutike në vend dhe duke ofruar mundësi të reja për të rinjtë e komunës së Istogut. /Telegrafi/