
Në Gjakovë është përmbyllur fushata globale “16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës në Bazë Gjinore” me një ekspozitë arti të realizuar nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.
Ekspozita u hap në Galerinë e Arteve dhe paraqiti vepra që, sipas organizatorëve, bartin “zërin, dhimbjen dhe guximin” e grave që kanë përjetuar dhunë.
Drejtoresha e “Medica Kosova”, Veprore Shehu, tha se çdo punim artistik është një formë e fuqishme e dëshmisë dhe rezistencës së këtyre grave, duke shërbyer si kujtesë dhe thirrje për ndërgjegjësim shoqëror.
Pas ekspozitës, Mekanizmi Komunal Kundër Dhunës në Bazë Gjinore mbajti takimin përmbyllës të fushatës. Udhëheqësja e Sektorit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore në Komunën e Gjakovës, Lumnije Shllaku, falënderoi anëtarët e mekanizmit për angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre gjatë gjithë aktiviteteve të 16 ditëve.
Komuna e Gjakovës ka theksuar se do të vazhdojë të mbështesë nismat që synojnë parandalimin e dhunës dhe fuqizimin e viktimave. /Telegrafi/


