E martë, 15 Korrik, 2025
spot_img
HomeLajmeNë garë për drejtimin e Cyrihut – Përparim Avdili ndan për Klankosova.tv...

Në garë për drejtimin e Cyrihut – Përparim Avdili ndan për Klankosova.tv vizionin e tij

Shqiptari Përparim Avdili nga Partia Liberale (FDP) ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për Kryetar të qytetit të Cyrihut në zgjedhjet që do të zhvillohen më 8 mars 2026. Për Klankosova.tv, ai ka ndarë vizionin e tij ambicioz për zhvillimin e mëtejshëm të qytetit.

Në këtë intervistë, Avdili thekson tri prioritetet e tij kryesore si kryetar i mundshëm: Reduktimin e burokracisë për të nxitur inovacionin, zhvillimin e politikave të banimit që mbështesin të gjitha shtresat e shoqërisë, dhe promovimin e një qyteti të hapur, digjital dhe klimatikisht të qëndrueshëm.

Avdili gjithashtu flet për mbështetjen e veçantë që merr nga komuniteti shqiptar në Zvicër, duke e parë këtë si një shenjë që brezi i ri është i gatshëm të marrë përgjegjësi dhe të kontribuojë në vendimmarrje.

Derisa, kandidati shqiptar për kryetar të Cyrihut flet edhe për përvojën e tij të angazhimit në politikën zvicerane, duke theksuar se kjo ka qenë një rrugë me sfida, por që e ka ndihmuar të hapë dyer për vetë dhe për të tjerë. Ai beson që Zvicra është gjithnjë e më e hapur ndaj përfaqësimit të qytetarëve me prejardhje të huaj në politikë, edhe pse, siç thotë ai, mbeten ende disa paragjykime strukturore për t’u thyer.

Përmes kësaj interviste, për të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Zvicër, Avdili ndau edhe një mesazh të fuqishëm.

Intervista e plotë:

Kandidatura për kryetar të Cyrihut, Z. Avdili, çfarë ju motivoi të kandidoni për kryetar të qytetit të Cyrihut në vitin 2026?

Unë besoj fuqimisht në potencialin e individit dhe të një shoqërie që krijon mundësi për të gjithë. Cyrihu është një qytet me energji të jashtëzakonshme dhe një qendër inovacioni. Dëshira ime është të udhëheq një qytet që nxit lirinë personale, kreativitetin dhe përfshirjen. Dua të sjell një vizion të ri, më liberal, më efikas dhe më afër qytetarit.

Cilat janë tri prioritetet kryesore që do të adresoni si kryetar i mundshëm i Cyrihut?

Së pari, duhet të lirojmë potencialin e qytetit duke thjeshtuar burokracinë dhe duke nxitur inovacionin urban. Së dyti, zhvillimi i një politike të banimit që krijon hapësirë për të gjitha shtresat, pa bllokuar zhvillimin. Së treti, promovimi i një qyteti të hapur, digjital dhe klimatikisht të qëndrueshëm, ku qytetarët marrin pjesë dhe ndihen të fuqizuar.

A ndjeni mbështetje të veçantë nga komuniteti shqiptar në këtë garë? Si e përjetoni këtë besim?

Mbështetja që marr nga komuniteti shqiptar është e jashtëzakonshme dhe më motivon akoma më shumë. E shoh si një shenjë që brezi ynë është gati të marrë përgjegjësi, të jetë pjesë aktive e vendimmarrjes. Por unë përfaqësoj të gjithë qytetarët e Cyrihut, pavarësisht prejardhjes – me të njëjtin respekt dhe përkushtim.

Pjesëmarrja në politikën zvicerane, jeni ndër të paktët shqiptarë të përfshirë në institucionet politike të nivelit kantonal. Sa e lehtë apo e vështirë ka qenë kjo rrugë?

Ka qenë një rrugë me sfida, por edhe me mundësi. Zvicra ofron një sistem ku individi ka hapësirë të angazhohet, nëse është i vendosur. Nuk kam pritur që dikush të më hapë derën, e kam hapur vetë, me përkushtim dhe dialog. Liberalizmi nënkupton pikërisht këtë: që gjithkush të ketë mundësinë të ecë përpara, në bazë të aftësive dhe vizionit.

A mendoni se Zvicra është sot më e hapur ndaj përfaqësimit të qytetarëve me prejardhje të huaj në politikë?

Po, shoqëria po ndryshon dhe gjithnjë më shumë e kupton vlerën e përfaqësimit të larmishëm. Por mbetet ende punë për të thyer disa paragjykime strukturore. Një Zvicër moderne ka nevojë për politika që reflektojnë realitetin dinamik të popullsisë dhe kjo përfshin edhe qytetarët me rrënjë të ndryshme.

Si e shihni integrimin e shqiptarëve në jetën institucionale të Zvicrës, ku jemi dhe çfarë na mungon ende?

Jemi në rrugë të mbarë. Shqiptarët po afirmohen në ekonomi, akademi, art dhe teknologji. Tani është koha që të marrim më shumë rol edhe në politikë dhe administratë. Na mungon ndoshta një vetëbesim më i madh si komunitet për të dalë në dritë dhe për të ndikuar, jo vetëm të përshtatemi, por edhe të kontribuojmë në mënyrë aktive në formësimin e së ardhmes.

Lidhja me Kosovën dhe diasporën. Çfarë marrëdhënie mbani me Kosovën dhe çfarë vendi ka ajo në angazhimin tuaj personal?

Kam një lidhje të fortë emocionale dhe kulturore me Kosovën dhe vendet amë sidomos vendlindja ne rrethin e Kumanovës. Por angazhimi im është i orientuar drejt së ardhmes, në mënyra konkrete. Si pjesë e diasporës, e shoh veten si një urë mes Kosovës dhe Zvicrës, sidomos në fushën e ideve, shkëmbimeve ekonomike dhe zhvillimit demokratik. Kultura është pasuri, por veprimi është vlera.

Ju jeni rritur në Zvicër, por me rrënjë shqiptare, si ka ndikuar kjo në identitetin dhe qëndrimet tuaja politike?

Ka ndikuar thellësisht. Kam mësuar të çmoj lirinë dhe përgjegjësinë që sjell një shoqëri e hapur si ajo zvicerane, por edhe qëndrueshmërinë dhe forcën e komunitetit nga kultura shqiptare. Në politikë, kjo më ndihmon të ndërtoj ura, mes individit dhe sistemit, mes traditës dhe progresit.

Si e përjeton familja juaj këtë rrugëtim politik?

Familja ime është baza ime. Ata më kanë mësuar të jem i lirë në mendim, por gjithmonë me vlera. E përjetojnë këtë rrugëtim si pjesë të një rruge më të madhe, jo vetëm për mua, por për brezat e rinj që duan të angazhohen në Zvicër si qytetarë të barabartë dhe aktivë./Klankosova.tv

 

 

The post Në garë për drejtimin e Cyrihut – Përparim Avdili ndan për Klankosova.tv vizionin e tij appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT