Në qendër të Dragashit u mbajt sot aktiviteti “Karvani për Promovimin e Shëndetit”, i cili kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes për kujdesin shëndetësor dhe parandalimin e sëmundjeve kronike jo ngjitëse.
Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim ndërmjet Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Adem Berisha” – Dragash dhe projektit AQH (Accessible Quality Healthcare), me mbështetjen e Komunës së Dragashit, përcjell Telegrafi.
Gjatë ditës, qytetarëve iu ofruan shërbime falas shëndetësore, matje të parametrave bazë dhe këshilla profesionale nga stafi mjekësor dhe infermierët pjesëmarrës.
Në njoftimin e komunës theksohet se kujdesi për shëndetin e qytetarëve mbetet një përgjegjësi e përbashkët, që kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe komunitetit.
“Faleminderit organizatorëve, infermierëve dhe bashkëpunëtorëve që me përkushtim dhe profesionalizëm kontribuuan në zhvillimin e këtij aktiviteti”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/