Posta e Kosovës, sot shënon Ditën Botërore të Fotografisë përmes emisionit të ri të pullave postare. Fotografia, si disiplinë artistike, por edhe si dukuri e ndriçimit të objekteve, ka preokupuar për dekada krijuesit kosovarë. Që nga çasti kur drita dhe hija filluan të rrëfejnë përmes objektivit, kjo formë shprehjeje u bë mjet dokumentimi, dëshmie dhe interpretimi.
Edhe pse fotografitë e para të qyteteve tona u shkrepën nga vizitorë të huaj si Josef Székely e Auguste Leon, shumë shpejt fotografia u përqafua nga vetë krijuesit vendorë. Ahmet Zherka, me atelienë e tij në Gjakovë, shënon fillesat e këtij zanati në Kosovë. Në Prizren u veçuan familjet Koro dhe Mjeda, ndërsa më gjerë, emri i Marubit mbetet sinonim i pasionit për fotografinë në trevat shqiptare.
Ky brez nismëtarësh e ktheu fotografinë nga mrekulli teknologjike në dëshmitare të kohës, duke na lënë një trashëgimi të çmuar që ruhet sot me përkushtim në Fototekën e Arkivit të Kosovës. Ky trashëgim vizual, i çmuar për nga përmbajtja dhe vlera, dëshmon për rrjedhat kulturore, shoqërore dhe arkitektonike të vendit, gjë që dhe sot paraqet një burim të pashtershëm për studiuesit, artistët dhe publikun e gjerë.
Pamjet e dy pullave postare dhe bllokut filatelik janë siguruar me përkrahjen e Arkivit Qendror pranë Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, ndërsa për Zarfin e Ditës së Parë, nga studio Zherka në Gjakovë. Ky emision i pullave postare do të mbetet në qarkullim postar deri në konsumim të plotë./Klankosova.tv
The post Në Ditën Botërore të Fotografisë, Posta e Kosovës lanson emisionin e ri të pullave postare appeared first on Klan Kosova.