Në çfarë moshe duhet të martoheni? Përgjigjen e jep matematika

Në çfarë moshe duhet të martoheni? Përgjigjen e jep matematika

Studimet tregojnë se njerëzit marrin vendime më të mira pasi të kenë shqyrtuar rreth 37% të mundësive të tyre

Grave shpesh u thuhet për kufizimet biologjike dhe se “burrat e mirë” do të jenë të zënë nëse presin gjatë. Pikërisht këtu hyn në lojë matematika me rregullin e saj të famshëm.


Sipas një algoritmi të publikuar në librin “Algoritmet për jetën: Shkenca kompjuterike e vendimeve njerëzore” nga gazetari Brian Christian dhe shkencëtari kognitiv Tom Griffiths, mosha ideale për martesë është 26 vjeç.

Hulumtimi i tyre tregon se njerëzit marrin vendime optimale pasi të kenë marrë parasysh 37% të mundësive të tyre – as shumë pak që të nxitojnë, e as aq shumë sa të mbingarkohen nga hezitimi.

Autorët përdorin si shembull procesin e punësimit: pas shqyrtimit të 37% të kandidatëve, tashmë ke mjaft informacion për një vendim të mirë, pa qenë i ngarkuar nga teprica opsionesh. Ata besojnë se kjo logjikë vlen edhe për zgjedhjen e partnerit.

Duke pasur parasysh se periudha në të cilën njerëzit zakonisht kërkojnë dashurinë është mes 18 dhe 40 vjeç, 37% e këtij intervali bie pikërisht në moshën 26 vjeç. Pas kësaj, cilësia e opsioneve, sipas tyre, fillon të ulet, transmeton Telegrafi.

Ekspertët: fundi i të njëzetave është koha më e përshtatshme

Shumë psikologë pajtohen se fundi i të njëzetave është koha më e përshtatshme për t’u martuar. Psikologu Wyatt Fisher shpjegon se në këtë periudhë zakonisht keni mbaruar studimet dhe keni nisur karrierën, gjë që ju lejon të mendoni më qartë për të ardhmen.

Pse është e rëndësishme të prisni deri në 25 vjeç

Sipas punonjëses sociale klinike Kelsey Torgerson, duhet pritur të paktën deri në 25 vjeç, pasi në këtë moshë truri është plotësisht i zhvilluar.

Ajo shton: “Është e rëndësishme të keni kaluar situata stresuese me partnerin tuaj – si studimet, një lidhje në distancë ose sfidat në punë – për të parë si i përballoni konfliktet. Këto janë aftësi kyçe për një martesë të qëndrueshme.”

Idealja për gratë dhe idealja për burrat

Terapeutja e marrëdhënieve Vina Cullins mendon se për gratë, mosha ideale është 28 vjeç.

“Në këtë periudhë, gratë kanë zhvilluar vetëdijen dhe besimin për zgjedhjen e partnerit. Kanë pasur kohë për eksperienca personale e profesionale dhe kanë mësuar nga gabimet e së kaluarës.”

Për burrat, mosha ideale është 32 vjeç. “Kjo u jep atyre mundësinë të përqendrohen në karrierë, të piqen emocionalisht dhe të marrin vendime më të menduara për martesë.”

Po nëse nuk jeni martuar ende?

Nëse jeni 25 vjeç dhe ende beqarë, mos u shqetësoni. Edhe pse rregulli i “37 përqindëshit” mbështetet nga matematika dhe shkenca, nuk ekziston një moshë universale për martesë të lumtur.

Statistikat e Pew Research Center tregojnë se gjithnjë e më pak njerëz zgjedhin të martohen, çka nënvizon faktin se marrëdhëniet dhe dashuria mbeten thellësisht individuale. /Telegrafi/