Ndikimi i kafeinës në sistemin kardiovaskular

Ndikimi i kafeinës në sistemin kardiovaskular

Doza e duhur, efektet anësore dhe çfarë rekomandojnë ekspertët


Dr. Valon Bellanica
Spz. i Kardiologjisë

Kafeina është një metilksantinë dhe substanca psikoaktive më e konsumuar gjerësisht në nivel global. Konsumimi i kafeinës deri në 400 mg konsiderohet i sigurt për shumicën e të rriturve.

Përthithja dhe absorbimi

Pas gëlltitjes, kafeina mund të absorbohet përmes mukozës orale, pavarësisht prej rrugëve të sistemit tretës. Ndërsa e gjitha absorbohet pothuajse plotësisht në qarkullimin e gjakut në zorrën e hollë. Studimet kanë treguar se koha për të arritur përqendrimin maksimal në plazmë pas dozave orale prej 72-375 mg kafeinë varion midis 15 dhe 60 minutash, me disa raste të administrimit oral që zgjasin deri në 120 minuta.

Cilat ushqime dhe pije përmbajnë kafeinë?

Përveç kafesë, ka shumë ushqime dhe pije që njerëzit do të habiteshin po të dinin se përmbajnë kafeinë. Disa prej tyre janë:

  • Çokollata dhe ushqimet që përmbajnë çokollatë (p.sh. pudingu me çokollatë ose brownies)
  • Shumë ushqime me aromë kafeje, si akullorja moka
  • Pije të ndryshme të gazuara
  • Pije të ndryshme energjike
  • Shtesa dietetike të tregtuara për energji dhe/ose humbje peshe
  • Shumica e ushqimeve të paketuara që përmbajnë fjalën “energji”

Nga këto pije dhe ushqime, kafeja është pija e dytë më e konsumuar pas ujit që përmban kafeinë. Një dozë standarde kafeje përmban 80-100 mg kafeinë, një pije e gazuar me kafeinë mund të përmbajë 30 deri në 40 mg kafeinë, një filxhan çaj i zi ose jeshil mund të përmbajë 30 deri në 50 mg kafeinë dhe një pije energjike mund të përmbajë 40 deri në 250 mg kafeinë.

Mekanizmi i veprimit të kafeinës në sistemin kardiovaskular

Ndikimet vaskulare të kafeinës janë debatuar prej kohësh, një debat që është përkeqësuar nga rritja e konsumit të pijeve energjike me përmbajtje të lartë kafeine, veçanërisht tek të rinjtë, të cilat janë lidhur me vdekje të profilit të lartë që lidhen me zemrën. Është dokumentuar mirë se kafeina ndikon në sistemin vaskular, por shkalla dhe natyra e këtij ndikimi varet nga një numër variablash.

Ka të ngjarë që kafeina të veprojë si një antagonist i receptorëve të adenozinës, duke rezultuar në bllokimin e efekteve frenuese të adenozinës, dhe kështu ndikon indirekt në çlirimin e norepinefrinës, dopaminës, acetilkolinës, serotoninës, glutamatit dhe acidit gama-aminobutirik. Rezultati është stimulim i lehtë i sistemit nervor qendror (SNQ), i cili shoqërohet me efektet karakteristike të “zgjimit” të kafeinës dhe rritjen e raportuar të presionit të gjakut.

Megjithatë, ndikimi në presionin e gjakut nuk është vërejtur vazhdimisht në prova, ndoshta për shkak të mekanizmave të tjerë që ndikojnë në sistemin vaskular. Për shembull, rritjet e kalciumit intraqelizor në qelizat e muskujve të lëmuar të enëve të gjakut dhe qelizat endoteliale mund të çojnë në rritje të oksidit nitrik vazodilatator (NO).

Prandaj, sipas Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), konsumimi i rreth 400 mg kafeinë në ditë është i sigurt, megjithëse ky nivel është i ndryshëm për grupe të caktuara të popullatës që lidhen me aftësinë e organizmit për zbërthimin e kafeinës përpara se të japë efekte anësore, siç janë gratë shtatzëna, fëmijët etj.

Efektet anësore që mund të vërehen përfshijnë:

  • Pagjumësi
  • Refluks gastroezofageal
  • Simptoma urinare
  • Ndjenja të zemrës që rreh shpejt, me dridhje ose me rrahje të forta, të quajtura edhe palpitacione
  • Ankth, tek disa njerëz

Si përfundim

Për të gjithë ata që pyesin: “A mund të konsumojmë kafe?” dhe “A mund ta dëmtojë zemrën?”, përgjigjja është se: Kafeina ka efekt stimulues dhe për shumicën e njerëzve nuk rrit në mënyrë domethënëse tensionin arterial apo rrezikun për aritmi.

Duke u bazuar në studimet e fundit të realizuara, konsumimi i 1-3 filxhanëve kafe në ditë mund të ulë rrezikun për sëmundje kardiovaskulare, ndërsa tejkalimi mbi 5 filxhanëve kafe mund të ketë efekte negative. /Telegrafi/