Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Pete Hegseth, u ka bërë thirrje aleatëve të NATO-s që të rrisin shpenzimet për blerjen e armëve amerikane me qëllim të mbështetjes së Ukrainës, pas një raporti që tregoi rënie të ndjeshme të ndihmës ushtarake për Kievin gjatë muajve korrik dhe gusht.
“Paqja arrihet kur je i fortë. Jo me fjalë të forta apo me tundje gishtash, por kur ke aftësi të forta dhe reale që respektohen nga kundërshtarët”, tha Hegseth për gazetarët para takimit me homologët e tij të NATO-s në selinë e aleancës në Bruksel.
Ai i nxiti aleatët të rrisin investimet në programin e Listës së Kërkesave të Prioritetit të Ukrainës (PURL), i cili ka zëvendësuar dhurimet e drejtpërdrejta të armëve amerikane për Ukrainën, duke kërkuar që vendet aleate të paguajnë për dërgesat e këtyre armëve.
“Pritshmëria jonë është që më shumë vende të dhurojnë më shumë dhe të blejnë më shumë për të mbështetur Ukrainën, duke e çuar atë konflikt drejt një përfundimi paqësor”, shtoi ai.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se 2 miliardë dollarë amerikanë janë alokuar tashmë përmes mekanizmit PURL. Megjithatë, kjo shumë është më e ulët se 3.5 miliardë dollarët që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte shpresuar t’i siguronte deri në tetor.
Suedia, Estonia dhe Finlanda kanë konfirmuar kontributet e tyre më 15 tetor, por Spanja, Italia, Franca dhe Britania e Madhe janë kritikuar për hezitimin në ofrimin e mbështetjes së nevojshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!