Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka folur për arritjen historike të klubit që drejton, duke theksuar se klubi mbetet i etur për suksese të tjera në Ligën e Konferencës.
Kampionia e Kosovës, Drita, do të përballet të enjten me KuPS-in në kuadër të xhiros së parë të fazës së ligës në Ligën e Konferencës, duke shënuar debutimin e saj në garat evropiane për klube. Ndeshja zhvillohet në Tampere të Finlandës, me fillim nga ora 18:45.
Në konferencën për media të mërkurën, Ramadani ka folur për pritshmëritë dhe motivimin e ekipit të tij.
“Për të arritur rezultat duhet të bësh futboll të mirë. E dimë se çfarë kemi bërë për të arritur deri këtu. Nuk është punë e lehtë, është e vështirë dhe një motiv shtesë për ne, pasi jemi për herë të parë në këtë fazë po ashtu edhe kundërshtari. E di që kjo është një arritje historike për skuadrën tonë, por e di se mundemi, duhet dhe e kemi obligim moral e profesional që mos të jemi të kënaqur, por të kërkojmë suksese tjera. Hapi i parë për të arritur suksese tjera është që ta nisim me fitore. Do të jetë ndeshje e vështirë, kemi përballë një kundërshtar të mirë, por ky është motivi jonë kryesor”, deklaroi Ramadani.
Trajneri e ka vlerësuar si sfidë të vështirë përballjen në Tampere, por shprehet i bindur se lojtarët e tij mund të arrijnë rezultat pozitiv.
“Do të jetë ndeshje e vështirë, pasi të dy ekipet jemi debutues dhe të dy ekipet e duam fitoren. Duhet të jemi të kujdesshëm, të mbrohemi mirë dhe të sulmojmë me më pak lojtarë, pasi e rëndësishme është të mos pranojmë gol. Në Superligë kemi pranuar gola dhe kjo na ka shqetësuar. Sot futbolli nuk është sport që fiton gjithmonë më i miri, është edhe fati në pyetje. Kemi respekt për çdo kundërshtar derisa fillon ndeshja, pastaj kur fillon, nuk kemi aspak respekt, duam ta mposhtim, shkelim dhe fitojmë. Posedimi i topit duhet të jetë arma jonë”, shtoi Ramadani.
Drita në Ligën e Konferencës do të përballet gjithashtu edhe me Shelbourne, Omonian, Shkëndijën, AZ Alkmaarin dhe Rayo Vallecanon. Trajneri Ramadani ka theksuar se objektivi i ekipit mbetet kalimi i fazës së nokaut dhe synimi është të përfaqësohet sa më denjësisht Kosova në garat evropiane. /Telegrafi/