Prej dekadash jeton në këtë lagje, por një pjesë të pronës së tij nuk do të mund ta shfrytëzojë më si të vetën.
Bardhyl Kastrati, banor i lagjes Aktash të Prishtinës dhe pronar i një parcele në rrugën Ukë Bytyqi, thotë se një leje ndërtimore, e mundësuar nga një gabim i komunës përmes “heshtjes administrative”, kur autoritetet nuk e refuzuan në kohë aplikimin e pronarit të parcelës ngjitur po e detyron të tërhiqet shtatë metra nga kufiri i pronës së tij.
Sipas tij, kjo e dëmton rëndë, sepse humb mundësinë e shfrytëzimit të një pjese të konsiderueshme të tokës.
60-vjeçari e konsideron të padrejtë dhe të paligjshëm vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës të vitit 2023, që e dha të drejtën për ndërtim në favor të fqinjit të tij. Ai thekson se komuna ende nuk ka një plan urbanistik të miratuar për këtë lagje, çka, sipas tij, e bën dhënien e lejes ndërtimore edhe më problematike.
Dyshimet se komshiu i tij po synonte të ndërtonte një objekt shumëkatësh, Bardhyl Kastrati i kishte nuhatur vite më parë, kur pa bazamentin e ndërtesës që nuk i ngjante aspak themeleve të një shtëpie banimi.
Në vitin 2016, ai nisi pakënaqësinë e tij duke realizuar një peticion drejtuar komunës.
Asokohe, pronari i parcelës kishte marrë leje vetëm për dy kate mbi përdhes, dhe Bardhyli ishte siguruar me premtime se aty nuk do të ngrihej një ndërtesë shumëkatëshe.
Bardhyl Kastrati thotë se, nëse ndërtimi i këtij objekti banesor nuk ndalet, drita e diellit do t’i bllokohet plotësisht. Sipas planit për të cilin ai pretendon se është dhënë leja, ndërtesa do të ngrihet deri në tetë kate.
Ai shton se nuk është i vetmi që do të preket të gjithë pronarët përreth do të pësojnë dëm, pasi me miratimin e planit urbanistik për këtë lagje, atyre u pamundësohet ndërtimi në afërsi të këtij pallati.
Ai thotë se prona e tij prej 5 ari, me vlerë të konsiderueshme, po humb rëndë në çmim, pasi 32 metra të saj kufizohen drejtpërdrejt me parcelën që ka marrë leje ndërtimi.
Sipas Bardhylit, plani zhvillimor urbanistik parashikon që komuna të lëshojë leje ndërtimi për objekte banimi shumëkatëshe vetëm për ata që kanë të paktën 30 ari tokë një kriter që, sipas tij, komshiu që mori lejen përmes një vendimi kontrovers, nuk e plotëson.
Më 17 korrik, Bardhyli ka ngritur padi për masë ndaluese ndaj vendimit të gjykatës, si dhe padi ndaj Komunës së Prishtinës. Ai thotë se ka në plan të nisë edhe një peticion për anulimin e këtij vendimi.
Ky vendim gjykate, i fituar për shkak të “heshtjes administrative” ku mosrefuzimi brenda afatit ligjor njihet si miratim, sipas Bardhylit, fillimisht nuk u zbatua nga komuna pasi e dinte që ishte në kundërshtim me rregulloret e saj zhvillimore.
Megjithatë, ai thotë se drejtori aktual i Urbanizmit, Florent Maliqi, mori vendim për ta zbatuar, pasi vendimi gjyqësor ishte i detyrueshëm.
Edhe pse komuna e kishte kundërshtuar vendimin dhe kishte kërkuar anulimin e tij në ministri pasi nuk kishte refuzuar kërkesën brenda afatit, çka u konsiderua miratim,
Bardhyli beson se pas gjithë kësaj qëndron një “lojë” mes komunës dhe fituesit të rastit, Tomë Gashit, duke pretenduar se mes tyre ka pasur marrëveshje për dhënien e lejes.
The post Ndërton banesë në pronë të komshiut? / Prishtinasi akuzon për leje të kundërligjshme (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.