Pas reshjeve të dendura atmosferike të ditëve të fundit, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë ka njoftuar ndërprerjen e reduktimeve të ujit të pijshëm për të gjitha zonat që furnizohen nga burimi i Drinit të Bardhë (Radavc).
Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra për Media e KRU “Hidrodrini”, reduktimet ndërpriten për fshatrat – rajonet: “Lugu i Leshanit, (Qyshk, Pavlan, Zahaq, Llabjan, Ramun, Leshan, Jabllanicë e Leshanit, Kliçinë, Poterq dhe Rosujë). Lugu i Trestenikut (Treboviç, Bllagajë, Nakëll, Nabërgjan, Lutogllavë, Ruhot, Trestenik dhe Stupë). Rajoni i fshtatrave në drejtim të fshatrave Gorazhdevc, Kerstovc, Babiq, Millovanc, Poqestë dhe Pishtan”.
Në njoftim theksohet gjithashtu se situata në burimin tjetër të ujit “Uji i Zi” aktualisht mbetet e pandryshuar. /Telegrafi/