Ndalimi i vizitave, ZPS ofendon Thaçin: Mos e leni të ankohet (VIDEO)

Ndalimi i vizitave, ZPS ofendon Thaçin: Mos e leni të ankohet (VIDEO)

Fillimisht e quan të pasinqertë. Më pas, edhe të palogjikshëm.

Këto terma Prokuroria e Specializuar nuk i kursen aspak kur i kundërvihet kërkesës së Hashim Thaçit për të apeluar vendimin që i kufizon atij takimet me 11 persona.

Siç ka mësuar Klan Kosova, ish-presidenti ka kërkuar leje për të ankuar ndaj ndalesës së miratuar më 18 korrik dhe të publikuar një muaj më vonë.

Por Prokuroria nuk dëshiron që ai ta ketë as këtë të drejtë.

Edhe pse 11 personat i cilëson si “vizitorë që përbëjnë shqetësim”, ky organ i Speciales thekson se nuk ka rëndësi çfarë bëjnë ata jashtë paraburgimit, por se si sillet Thaçi brenda tij.

Kimberly West, kryeprokurore e specializuar, u shpreh: “Në secilin rast, Paneli nuk është i detyruar të vlerësojë rrezikun që përbën secili vizitor për ta justifikuar kufizimin ndaj një të paraburgosuri, por duhet të vlerësojë nëse vetë i paraburgosuri përbën rrezik, për të cilin janë të nevojshme kufizime në komunikim dhe vizita.”

Pavarësisht se Thaçi, Veseli dhe Selimi janë nën monitorim dhe përgjim të rreptë, Prokuroria vazhdon të mbështetet te bisedat e përgjuara gjatë vitit 2023, duke lënë të hapur mundësinë që edhe vizitorë të tjerë të atij viti të përfshihen në kufizimet e reja.

Ndërkohë që udhëheqësve të katërshes së UÇK-së, të përfshirë në aktakuzë, pritet t’u vendosen kufizime shtesë dhe të dyfishta, Paneli ka refuzuar edhe kërkesat e Selimit dhe Veselit për kthim në normalitet sa i përket vizitave në paraburgim.

Arsyeja: pranimi i fajësisë nga Haxhi Shala, Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi, të cilët kanë ndërhyrë te një dëshmitar, pretendimet e të cilit kanë implikuar në krime potenciale personin e njohur gjatë luftës me nofkën “10-shi”. /Klankosova.tv

The post Ndalimi i vizitave, ZPS ofendon Thaçin: Mos e leni të ankohet (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.