Shumë shqiptarë akoma mburren me origjinën fisnore që kanë. Kjo edhe më tej theksohet më shumë në Shqipërinë Veriore dhe në një pjesë të madhe të Dukagjinit, pjesërisht në Drenicë, e më pak ose fare në trevat tjera ku flitet shqip. Rrethi fisnor sot është ngushtuar dukshëm në më pak kushërinj, lagje apo edhe një fshat, por jo më si dikur me krahina. Në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme, është zor të dëgjosh dikën që krekoset apo zë në gojë fisin. Andej rrallëkush përmend përkatësinë fisnore dhe nëse ndodhë, ai individ përpiqet ta lidhë origjinën me ndonjë familje pasanikësh, përkatësisht çifligarësh të njohur. As në Kosovën Lindore nuk përmendën fiset.
Megjithëse kanë kaluar shekuj të tërë qëkur njihen fiset shqiptare, emrat e atyre fiseve përdorën dhe njihen akoma nga ne. Jo pak herë, edhe sot gjatë bisedave të rëndomta apo edhe të rastit, dikush pyet dikën: I cilit fis je?
Fiset që i njohim nuk kanë origjinë aq të largët sa një popull i njohur, ndaj nuk mund të identifikohet me fiset ilire. Edhe te popujt tjerë të botës njihet organizimi fisnor i fiseve që një kohë të gjatë identifikoheshin përmes disa adeteve, veshjeve e sidomos për ndalesën e martesave brenda fisit.
A respektohej ky zakon dhe deri ku mund të shkonte niveli i ndëshkimeve, në rast se dikush martohej me një vajzë brenda fisit? Sa kohë mund të zgjaste ky ndalim dhe çka kishte ndodhur me shekuj brenda e jashtë fisit?
Brenda fshatrave që kryesisht i përkisnin një fisi të caktuar, në rast se dikush kërkonte dorën e një vajze për nuse, pyetja e parë ishte së cilit fis i përket. Nëse djali dhe vajza i përkisnin të njëjtit fis, shkuesi (mesiti) hiqte dorë menjëherë. Brenda këtyre katër, pesë apo më shumë fshatrave, kishte familje edhe të fiseve të tjera, si: Shala, Hoti, por edhe muhaxhirë që nuk flisnin asnjëherë për përkatësinë fisnore. Madje, ato familje, mu pse jetonin në fqinjësi të afërt me pjesëtarët e fisit Gash, shpeshherë ishin dakorduar që të mos kërkojnë të lidhnin krushqi më fqinjët, duke e konsideruar ligësi martesat me fqinjët.
Ato familje që ishin të fisit tjetër, nëse ishin shumë afër shtëpive të fisit përkatës, në të shumtën e rasteve falsifikonin mbiemrin e tyre dhe merrnin mbiemrin e fqinjëve për të mos u dalluar.
Në Shqipërinë Veriore edhe sot dallohen mirë trevat ku jeton secili fis. Ato madje as nuk kishin lejuar që dikush nga ndonjë fis tjetër të vendosej për të jetuar brenda territorit të fisit tjetër.
Kohë pas kohe kemi parë që edhe studiues të huaj janë interesuar për ndarjet fisnore dhe veçoritë që i dallojnë ato. Ka pasur studime qëllimmira, por edhe tendenca të dukshme të përçarjes se fiseve, sidomos fetare. Studiuesit e huaj madje kanë nxjerrë edhe njëfarë statistike se sa fise jetojnë në Kosovë dhe si duket përqindja e tyre në kuadër të gjithë popullatës.
Kur vetë njerëzit prej kur janë paraqitur mbi tokë, kanë pasur prirje për të lëvizur nga një vend në një vend tjetër, edhe pjesëtarët e fiseve shqiptare kanë lëvizur me kohë sipas nevojës
Ky fakt që mund të verifikohet në çdo kohë, dëshmon se asnjë popull, aq më pak një fis, siç është rasti i fiseve tona, nuk ka mbetur imunë ndaj zhvillimeve. Vetë shtimi natyror e kushtëzonte lëvizjen, largimin individual, grupor apo edhe fisnor. Për lëvizjet ndër epoka e shekuj, te na nuk ka ndonjë statistikë.
Me paraqitjen e kombeve, zakonisht fiset janë tretur dhe bashkuar në suaza të një populli. Sa kohë që popullata e një fisi mund të kenë qenë numerikisht më pak, me shtimin janë shtuar të gjitha nevojat e njerëzve dhe kështu ata ndërronin vendin e jetesës përtej arealit fisnor. Me kalimin e kohës, gjithë pjesëtarët e këtyre fiseve kanë lëvizur shumë më larg dhe, logjikisht, asokohe as nuk ka mund të komunikonin me të afërmit.
Çka ndodhte me ata pjesëtarë të një fisi që largoheshin në një kontinent tjetër? Edhe atje, ku shkonte dikush, gjithsesi nuk mund t’i shmangej martesës. Po fisi ku mbetej? Dikush nga brezi i ri mbante akoma mend fisin e tij, por shumica e brezave vijues as që merreshin me këtë adet.
Kishte ndodhur që një herë, shumë vonë, një djalë i një familje, e cila realisht nuk i përkiste fisit Gash, por iu kishte mbështetur atij fisi, të dashuronte një vajzë të fqinjit Gash dhe ta merrte për nuse. Pasi ato familje jetonin shumë afër mes vete, lajmi ishte përhapur shpejt dhe gati ishte bërë nami i zi. Ky rast nuk ishte i vetëm dhe sot e kësaj dite dëgjojmë kur pjesëtarët e vërtetë të një fisi thonë me bindje sa akëcila lagje apo familje ka mbiemrin e fisit, por nuk i përket atij fisi.
Dukuria e fshehjes së përkatësisë fisnore kishte për bazë mundësinë e hakmarrjes brenda fisit kudo qoftë individi. Madje mund të ishte vrarë dikush rastësisht. Burrat pleq e kishin marrë përsipër ta analizojnë rastin dhe kishte dal dëshmia se ata fqinjët e fisit tjetër kanë respektuar fqinjin Gash deri në atë moment, duke fshehur origjinën e vetë, për arsye krejt të tjera, dhe nuk kanë asnjë lidhje fisnore.
Lëvizje familjesh ka pasur gjatë gjithë historisë së fiseve, por në shumë raste, kur dikush largohej nga belaja, për shkaqe gjaku apo edhe rrëmbimi të ndonjë vajze, herë-herë edhe brenda fisit, ai njeri duhej të ikte natën dhe i duheshin shumë përpjekje atje ku vendosej që të fshihte fare origjinën për shkak të hakmarrjes që, për shumë kohë, ishte tepër e theksuar.E, sot akoma shohim se si shumë njerëz akoma krekosen më përkatësinë e tyre fisnore pa ditur asgjë nga historia e fisit të tyre.
Shtrohet pyetja sa mund te zgjaste ky zakon brenda fisit. Logjikisht, ky zakon mund të ruhej jo për kohë tepër të gjatë. Martesat mes fiseve ishin shtuar aq shumë sa nuk kishte mbetur njeri që nuk ishte nip i Gashit, apo dhëndër i Shalës e Krasniqes, Hotit apo fisit tjetër, dhe e kundërta. Kur rritej nipi i fisit Shalë, logjikisht nuk mund të kërkonte nuse tek fisi i dajave, sepse ishte nip i tyre.
Megjithëse ky problem është i moçëm, askush nuk është marr me logjiken e ngjarjeve reale. Një familje, me shtatë djem e po aq vajza mund të kishin kërkuar nuse brenda një fisi, por brezi i nipërve e mbesave të tyre logjikisht humbiste këtë mundësi.
Mburrja e mëtejshme me përkatësi fisnore më nuk e ka asnjë bazë reale. Madje edhe sot ajo mburrje e krekosje vazhdon sipas rastit. Nëse dikush nga fisi Gash dallohej për diçka, ai njeri logjikisht mund të ishte nip i Mirditës. Kështu edhe Mirdita lëvdohej se e paska nip birin Gashit, apo të Krasniqes. Në Shqipërinë Veriore akoma përmendën për se tepërmi përkatësitë fisnore, por po të studiohet mirë kjo krekosje nuk e ka asnjë bazë.
Assesi, këtu nuk duhet harruar martesat etnike të përziera që në shumicën e rasteve fshihen, por ato ekzistojnë në mesin tonë kudo. Madje, martesa me pjesëtarë a pjesëtare të kombësive tjera është mjaftë e dukshme, por të flasin për këtë dukuri shumëkush e konsideron si nënçmim. Martesat e përziera etnike edhe sot fshihen me njëfarë kokëfortësie apo së paku shumë individë në çdo rast i shmangen kësaj teme. Pastaj këtij nënçmimi ja ndihmojnë edhe thashethemet që shumë kush i ka përshpirt dhe jeton me to gjithë deri sot.
Me punën e fiseve shqiptare janë marre shume autorë vendas shqiptarë, por edhe te huaj. Megjithëse në ato shkrime gjejmë gjithçka, por jo çështjen e martesave. Sa breza duhet të kalonin dhe sa kohë mund të flitej; se ky apo ai tjetri individ i përket këtij apo atij fisi. Pati edhe thyerje te këtij zakoni. Ai që nuk respektonte Kanunin në këtë drejtim e dinte edhe rrezikun që i kanosej
Lëçitja nuk mjaftonte, si masë ndëshkimi. Personi mund të vritej apo ndiqej kudo që shkonte. Jo pak herë individi me vajzën e rrëmbyer brenda fisit, detyrohej të ikte diku larg dhe zakonisht ai kujdesej mirë për ta fshehur origjinën. Shumë herë ata individë që kishin vepruar kështu, kur largoheshin ndryshonin jo vetëm emrin e vetë e të vajzës, por edhe përkatësinë fisnore. Sot ka shumë njerëz që ju kanë ngjitë fisit tjetër kur kanë ndërruar vendbanimin. Masa e më e madhe njerëzish edhe sot kot mburret me përkatësinë fisnore, të cilido fis. Nuk mund të gjendet edhe një familje diku në fshat apo qytet e cila mund të thotë se ajo familje a lagje e një fisi jeton aty me shekuj. Një intervistë e vendosur në terren do të mund të zbulonte shumë pak raste te këtij lloji, sepse ata me kalimin e kohës adaptoheshin në fqinjësinë e re. Ka ndodhe jo pak here që një i ardhur brenda një fisi tjetër nuk ka pranuar të kërkoj ndonjë vajzë te fqinjët, vetëm nga frika se mund të zbulonte prejardhjen. Duke pasur fqinjin shumë afër edhe pse mund të kërkonte për martese një vajzë të tij, individi i tillë nuk ka pranuar duke menduar për origjinën e vetë.
Martesat brenda fisit ishin të ndaluara kohë të gjatë. Elaborati i kësaj temë ka munguar deri tash. Megjithatë, fiset akoma përmendën, e madje ndarja në fise synohet të ruhet me kokëfortësi deri në ditët e sotme.