Punëtorët e Hekurudhave të Kosovës kanë hyrë sot në një grevë dyditore, pas siç thonë, dështimit të dialogut me punëdhënësin lidhur me kërkesën për rritje të pagave, të cilat nuk janë ndryshuar që prej 15 vitesh.
Në komunikatën drejtuar mediave, Sindikata e Punëtorëve të Hekurudhës ka bërë të ditur se vendimi për grevë është marrë si masë ekstreme për të ushtruar presion ndaj autoriteteve përgjegjëse, me qëllim realizimin e kërkesave të kahershme të punonjësve.
“Më 12 dhe 13 qershor 2025, nuk do të qarkullojë asnjë tren në territorin e Republikës së Kosovës,” thuhet në njoftim.
Sipas sindikatës, trenat do të rikthehen në funksionim të shtunën dhe të dielën, më 14 dhe 15 qershor, me përjashtim të linjës Prishtinë–Pejë, e cila do të vazhdojë të operojë edhe gjatë ditëve të grevës.
Kryetari i Sindikatës, Hysen Nikçi, ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente nga institucionet, duke theksuar nevojën për një zgjidhje të menjëhershme dhe të qëndrueshme të kësaj çështjeje.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!