Ka ndërruar jetë Shefi i Ndërrimit në Njësinë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Malishevë, Liman Sertolli.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar për vdekjen e tij, ndërsa ka shprehur ngushëllime familjes Sertolli, transmeton Telegrafi.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Shefit të Ndërrimit në Njësinë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Malishevë, Liman Sertolli. Agjencia e Menaxhimit Emergjent shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Sertolli, kolegëve të Njësisë së Zjarrfikësve, si dhe të gjithë atyre që e njohën dhe bashkëpunuan me të”, thuhet në njoftimin e tyre.
Tutje, thuhet se Sertolli ishte shembull i përkushtimit dhe guximit, duke i shërbyer me nder e përgjegjësi qytetarëve dhe duke qenë gjithmonë i gatshëm.
“Me profesionalizmin dhe humanizmin e tij, ai la gjurmë të pashlyeshme tek kolegët, miqtë dhe komuniteti.Kujtimi për të do të mbetet gjithmonë mes nesh. Do ta kujtojmë me respekt e mirënjohje për kontributin e madh që dha në mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve”./Telegrafi/