Ndahet nga jeta Prof. Dr. Zylfi Azizi – figurë e shquar e mjekësisë kosovare

news image

Bota akademike dhe mjekësore në Kosovë është zotuar me lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Zylfi Azizi, një prej figurave më të respektuara në fushën e gjinekologjisë dhe arsimit mjekësor në vend.

Prof. Dr. Azizi kreu studimet për Mjekësi të Përgjithshme në Universitetin e Beogradit në vitin 1968, ku gjithashtu përfundoi edhe studimet pasdiplomike. Specializimin për Obstetrikë-Gjinekologji dhe citodiagnostikë e realizoi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, ku në vitin 1984 mbrojti edhe temën e doktoratës.

Gjatë karrierës së tij, Prof. Dr. Azizi punoi fillimisht si mësues në Kumanovë, për të vazhduar më pas si mjek në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë. Në vitin 1978 u emërua asistent, më pas profesor inordinar dhe përfundimisht profesor ordinar në lëndën e Gjinekologjisë në Fakultetin e Mjekësisë.

Në vitin 1990, ai u përjashtua padrejtësisht nga puna nga autoritetet e dhunshme serbe. Megjithatë, ai nuk ndaloi aktivitetin e tij profesional dhe arsimor – duke vazhduar punën në një poliklinikë private në Prishtinë, ku gjithashtu organizoi mësim praktik për studentët e Fakultetit të Mjekësisë, duke shndërruar ordinancën e tij në një hapësirë të vërtetë mësimore.

Oda e Mjekëve të Kosovës i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të tij, duke vlerësuar lart kontributin e tij të jashtëzakonshëm në shërbim të shëndetësisë dhe arsimit në vend.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/