Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare Abdi Baleta, ish-ambasador i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, një prej figurave të njohura të diplomacisë, politikës dhe drejtësisë shqiptare.
Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët përmes një njoftimi prekës, ku vlerësojnë jetën dhe trashëgiminë e tij si burrë i përkushtuar ndaj familjes dhe vendit.
“Për shumëkënd ishte diplomat, gjykatës, politikan, zë i fuqishëm për kombin. Për ne ishte burrë i thjeshtë e i drejtë, bashkëshort, baba e gjysh që na mësoi me shembullin e tij. Dlirësia, dinjiteti dhe forca e karakterit ishin tiparet e tij.”, thuhet në njoftimin e familjes.
Abdi Baleta ka mbajtur detyra të rëndësishme në periudha kyçe për shtetin shqiptar, ku kontributi i tij në skenën ndërkombëtare dhe në mbrojtje të interesave kombëtare është kujtuar me respekt nga bashkëkohësit dhe institucionet.
Varrimi i tij do të zhvillohet të shtunën, më 20 shtator 2025, me nisje nga shtëpia funerale Alba 2000, Rruga e Durrësit, në orën 12:00, ndërsa ceremonia do të mbahet në Tufinë.
Familja do të presë ngushëllime në shtëpinë funerale Alba 2000 përgjatë ditëve në vijim: të dielën, të martën, të mërkurën, të enjten dhe të premten, nga ora 10:00 – 13:00 dhe 17:00 – 20:00.
Në njoftimin e tyre, bashkëshortja Flutra, vajzat Teuta dhe Lindita, dhëndrri Përparimi, mbesa Anda dhe nipi Agzimi e përmbyllin me fjalët: “Qoftë kujtimi i tij i bekuar për të gjithë ne që e deshëm. Pastë dritë shpirti yt, babi!”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!