NASA ua ndalon shtetasve kinezë të punojnë në programet e saj hapësinore

NASA ua ndalon shtetasve kinezë të punojnë në programet e saj hapësinore

Agjencia hapësinore amerikane NASA ka bllokuar qytetarët kinezë me viza të vlefshme amerikane nga mjediset e saj – një veprim që në fakt i pengon ata të punojnë në një nga qendrat më të respektuara të kërkimit hapësinor.

Shtetasit kinezë, të cilët mund të punonin në NASA vetëm si kontraktorë ose studentë që kontribuonin në kërkim, mësuan më 5 shtator se kishin humbur të gjithë qasjen në sistemet dhe mjediset e NASA-s, raportoi Bloomberg news, duke cituar burime.


Nasa më pas e konfirmoi këtë, duke thënë se shtetasve kinezë do t’u kufizohej përdorimi i “mjediseve, materialeve dhe rrjeteve” të agjencisë për të garantuar sigurinë e punës sonë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Programi hapësinor i përshpejtuar i Kinës ka alarmuar SHBA-në dhe ka rritur garën midis dy ekonomive më të mëdha.

Astronautët kinezë janë tashmë të përjashtuar nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) sepse Uashingtoni e ka ndaluar NASA-n të ndajë të dhënat e saj me Kinën.

Dhe kufizimi i fundit nga NASA vetëm sa shton rënien e bashkëpunimit shkencor midis dy palëve për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.

Ndërsa konkurrojnë për të fituar një avantazh teknologjik, Pekini dhe Uashingtoni janë bërë gjithnjë e më të kujdesshëm ndaj njëri-tjetrit.

Ky dyshim e ka bërë më të vështirë për disa studentë kinezë, veçanërisht ata që studiojnë shkencë dhe teknologji, të marrin viza, apo edhe të hyjnë në SHBA, pasi të kenë siguruar një vizë.

Kohët e fundit në SHBA ka pasur edhe disa raste të spiunazhit të dyshuar nga shtetas kinezë, dhe shkencëtarët në veçanti “janë vënë nën skaner”.

Sekretarja e shtypit e NASA-s, Bethany Stevens, u tha mediave se NASA kishte ndërmarrë me të vërtetë “veprime të brendshme që kishin të bënin me shtetasit kinezë – duke përfshirë kufizimin e qasjes fizike dhe të sigurisë kibernetike në objektet tona”.

Kina nuk i ka mbajtur sekret ambiciet e saj hapësinore, me Pekinin dhe Uashingtonin që konkurrojnë për të dërguar ekuipazhin e tyre në hënë. /Telegrafi/