Pas afrimeve të Scott McTominay dhe Rasmus Hojlund, Napoli duket i vendosur të shënjestrojë një tjetër lojtar të Manchester United. Bëhet fjalë për Kobbie Mainoo, mesfushorin 20-vjeçar që po has vështirësi për të siguruar minuta këtë sezon.
Sipas “Daily Mail” dhe “TMW”, Napoli po e ndjek me vëmendje situatën e tij, pasi Mainoo ka luajtur vetëm 200 minuta në të gjitha kompeticionet, duke u aktivizuar katër herë në Ligën Premier si zëvendësues.
Raportohet se gjatë verës lojtari kishte shprehur dëshirën të transferohej në Itali në formë huazimi, por Manchester United e bllokoi largimin.
Kobie Mainoo
Megjithatë, nëse deri në janar nuk arrin të marrë më shumë hapësirë, Mainoo do të kërkojë vetë një largim, me Napolin që shihet si një nga opsionet më serioze.
Mediat italiane shtojnë se drejtuesit e Napolit kanë pasur bisedime me agjentët e lojtarit gjatë merkatos së verës dhe e shprehën “interesin e madh” për të. Një rikthim në janar është shumë i mundshëm, sidomos nëse mesfushori e kërkon sërish largimin nga “Old Trafford”./Telegrafi/