Jo larg bregdetit francez ndodhet një muze nënujore, një oazë e re turistike me skulptura monumentale, të larta rreth dy metra dhe të rënda deri në dhjetë tonë
Fytyrat prej guri, të ndërtuara nga dy pjesë, frymëzohen nga legjenda e Njeriut me Maskë Hekuri, ndërkohë që përcjellin një mesazh të fortë për rrezikun që u kanoset deteve dhe oqeaneve.
Britaniku Jason deCaires Taylor, skulptor i vlerësuar me çmime dhe fotograf profesionist nënujore, është i njohur për instalacionet e tij artistike nëpër botë.
Në 16 vitet e fundit, ai ka vendosur më shumë se 1 100 vepra nën sipërfaqen e ujit. Muzeu nënujore në Kanë është projekti i tij i parë në ujërat e Mesdheut, për të cilin iu deshën plot katër vjet punë.
U hap për vizitorët në vitin 2021, pranë ishullit Île Sainte-Marguerite, njëri nga ishujt Lerins, afër bregut të Kanës. Thellësia e vogël dhe afërsia me bregun e bëjnë vendndodhjen lehtësisht të arritshme, ndërsa uji kristal i pastër ofron kushte ideale për zhytje, transmeton Telegrafi.
Skulptura monumentale të frymëzuara nga legjenda e Njeriut me Maskë Hekuri
Gjashtë skulptura gjigante, me peshë rreth tre tonë dhe lartësi dy metra, paraqesin gjashtë fytyra njerëzore, të ndara në dy fragmente. Të gjitha janë frymëzuar nga banorë të vërtetë lokalë, të moshave dhe profesioneve të ndryshme. Njëra paraqet Morisin, një peshkatar 80-vjeçar, ndërsa tjetra Anukun, një nxënës 9-vjeçar.
Çdo fytyrë është e zmadhuar dhe e ndarë në dy pjesë: pjesa e theksuar ngjan me një maskë, që lidhet me historinë e ishullit Île Sainte-Marguerite – vendi ku, sipas të dhënave, ka qenë i burgosur Njeriu me Maskë Hekuri, i famshmi i burgosur francez, identiteti i të cilit nuk u zbulua kurrë me siguri.
Një lidhje tjetër me temën e maskave vjen nga artet skenike dhe Festivali i Filmit të Kanës, që zhvillohet çdo vit në qytet.
Një muze nënujore me mesazh të fuqishëm ekologjik
Në punën e tij, Jason deCaires Taylor trajton gjithmonë temën e ekologjisë, veçanërisht rrezikun që i kanoset oqeaneve.
Sipas tij, koncepti i maskës së ndarë në dy pjesë është një metaforë për oqeanin: njëra anë përfaqëson forcën dhe qëndrueshmërinë, ndërsa tjetra – brishtësinë dhe degradimin. Nga toka shohim vetëm sipërfaqen, të qetë dhe madhështore, por nën të fshihet një ekosistem delikat, që prej vitesh dëmtohet vazhdimisht nga aktivitetet njerëzore.
Vendi ku ndodhen skulpturat ka qenë dikur zonë e braktisur infrastrukture detare, ndaj një pjesë e rëndësishme e projektit ishte pastrimi i plotë i hapësirës. U hoqën motorë dhe tuba të vjetër për të krijuar hapësirë për veprat artistike. Sot, zona është e izoluar nga qarkullimi i anijeve, çka e bën të sigurt për zhytësit dhe parandalon dëmtimet e mëtejshme të livadheve të barit detar Posidonia, të cilat njihen si “mushkëritë e oqeanit” për shkak të sasisë së madhe të oksigjenit që prodhojnë.
Skulpturat janë ndërtuar nga materiale me pH neutral, në mënyrë që të nxisin zhvillimin e faunës dhe florës detare dhe të ndihmojnë rigjenerimin e zonës.
Një përvojë që bashkon artin, natyrën dhe traditën lokale
I vendosur mbi rërë të bardhë, mes livadheve të Posidonisë në pjesën jugore të mbrojtur të ishullit, ky muze nënujore magjepsës është një oazë unike turistike. Ai i fton vizitorët të zhyten, të shijojnë botën nënujore dhe njëkohësisht të reflektojnë mbi marrëdhënien mes njeriut dhe natyrës, në një ndërthurje të bukur me historinë dhe traditën e Kanës.
/Telegrafi/