Maqedonia e Veriut ka udhëtuar drejt Gentit me përbërjen më të fortë për të sfiduar Belgjikën, kombëtaren e tretë në Botërorin “Rusi 2018”, njofton Telegrafi.
Me pothuajse të gjithë lojtarët më të mirë në dispozicion dhe me një përbërje shumë me përvojë, përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut do të kërkojë nesër të bëjë historinë në përballjen me Belgjikën e Rudi Garcias, ekip që në Botërorin e vitit 2018 në Rusi u rendit në vendin e tretë.
Nga ajo gjeneratë e artë belge kanë mbetur emra të mëdhenj si Courtois, Witsel dhe De Bruyne, por për mbrojtësin shqiptar të Maqedonisë, Visar Musliu, këto nuk janë arsye për frikë.
Në konferencën për shtyp, Musliu u shpreh me vendosmëri: “Nuk do të kemi një mision të lehtë, këtë e dimë prej kohësh. Edhe pse mungon Lukaku, Belgjika ka sulmues si Openda dhe Batshuayi, ndoshta jo në nivelin e Lukakut, por lojtarë që luajnë rregullisht në Ligën e Kampionëve. Po ashtu, janë edhe Doku dhe Vaineken, futbollistë me shumë cilësi. Do të përballemi me një rival jashtëzakonisht të fortë, por nëse luajmë me disiplinë dhe përkushtim si në Shkup, mund ta arrijmë qëllimin. Do të japim maksimumin për të arsyetuar besimin e përzgjedhësit.”
Mbrojtësi shqiptar theksoi gjithashtu se respekti që Belgjika ka treguar ndaj Maqedonisë tregon shumë:
“Ata kanë matematikat e tyre, nuk e di çfarë mendojnë për ne, por treguan respekt dhe kjo flet shumë. Edhe për ta kjo është një ndeshje vendimtare.”
Në ndeshjen që do të zhvillohet të premten mbrëma në Gent, pritet të jenë të pranishëm rreth 1.000 tifozë që do ta përkrahin Maqedoninë, të cilët do të jenë mbështetje e fuqishme për kuqeverdhët në sfidën më të rëndësishme të këtyre kualifikimeve. /Telegrafi/