Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valon Murtezaj, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së funksionimit të strukturave drejtuese të partisë, duke e quajtur situatën aktuale “pikën më të ulët të demokracisë” në LDK, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në Facebook, Murtezaj ka kritikuar paralajmërimin për prezantimin e një agjende të re për orientimin qeverisës të vendit, duke theksuar se një veprim i tillë është bërë pa asnjë konsultim dhe pa miratim nga organet statutare të partisë.
“Prezantimi i paralajmëruar për nesër i një agjende lidhur me një orientim qeverisës, pa asnjë konsultim, dhe pa asnjë miratim të organeve statutare partiake shënon pikën më të ulët të demokracisë në subjektin politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka shkruar ai.
Murtezaj ka theksuar se një orientim i tillë politik për Republikën e Kosovës duhet të ndërtohet përmes konsultimeve të gjëra, ndërsa kompetencën për këtë, sipas tij, e ka vetëm Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.
Ai ka ironizuar edhe me termat e ndryshëm të përdorur kohëve të fundit për një “qeveri të re”, duke përmendur disa prej tyre: “Qeveri Nacionale e Tranzicionit, Qeveria Nacionale Kalimtare, Qeveri Gjithpërfshirëse Kalimtare, Qeveri Gjithpërfshirëse e Unitetit, Qeveri e Unitetit, Qeveri e Unitetit Kombëtar”.
Në fund të reagimit të tij, ai është shprehur i vendosur se autokracia dhe oligarkia nuk kanë vend në LDK: “LDK-ja e Ibrahim Rugovës, e demokracisë së parë në këtë rajon, e heronjve të lirisë, e heronjve të demokracisë, e patriotëve për Kosovën, nuk duhet ta braktisë demokracinë. Partia politike nuk është kompani ndërtimore. Partia politike është organizatë shtet-ndërtimore. Autokracia dhe oligarkia në LDK nuk ka vend dhe nuk do të ketë. Për demokraci gjithmonë”, përfundon Murtezaj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!