Të enjten (3 korrik) është konfirmuar rasti i parë i sëmundjes PPR (Murtaja e Ruminantëve të Vegjël) në vendin tonë, gjegjësisht në një fermë në fshatin Landovicë të Prizrenit.
Murtaja e Ruminantëve të Vegjël, ndryshe e njohur si “Peste des Petits Ruminants” (PPR), është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë, e cila karakterizohet nga simptoma të rënda si temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda dhe sytë, diarre, pneumoni dhe kollitje e fortë.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, për Klankosova.tv tha se kjo sëmundje shkakton dëme të konsiderueshme në shëndetin e kafshëve, duke rritur kështu nivelin e ngordhshmërisë dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë blegtorale.
Ai shton se kjo sëmundje nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve, dhe po ashtu nuk transmetohet nga kafsha te njeriu.
Nga ana tjetër, Hasan Limani, kryetari i Odës së Veterinerëve të Kosovës, për Klankosova.tv tha se është shqetësuese konfirmimi i rastit të parë të Murtajës së Ruminantëve të Vegjël në Kosovë, sidomos për fermerët që merren me rritjen e dhive dhe deleve.
Sa ndikon PPR te fermerët?
Limani thotë se kjo sëmundje ndikon shumë te fermerët, të cilëve do t’u shkaktojë dëme të mëdha financiare.
“Murtaja e Ruminantëve të Vegjël është një sëmundje shumë ngjitëse që prek dhenë dhe dhi duke shkaktuar humbje të mëdha ekonomike. Ajo përhapet shpejt në tufë dhe mund të çojë në: ngordhje masive të kafshëve, sidomos të reja; ulje të prodhimit të qumështit; abortime dhe probleme të rritjes; kufizime në lëvizjen e kafshëve dhe tregtinë e tyre”, tha Limani për Klankosova.tv.
Sipas tij, dëmi financiar ndaj fermerëve është i shumëfishtë, si në aspektin e ngordhjes së kafshëve, ashtu edhe në aspektin e trajtimit të tufave.
“Ndikon tek ta në mënyrë direkte. Fermerët mund të përballen me: humbje të të ardhurave për shkak të ngordhjes ose asgjësimit të kafshëve; kosto shtesë për izolim, asgjësim ose trajtim të tufave; ndalesa në tregtim të produkteve të bagëtisë; pasiguri për të ardhmen e fermës”, u shpreh Hasan Limani, kryetari i Odës së Veterinerëve të Kosovës.
Çfarë mund të bëhet për të parandaluar këtë sëmundje?
Kreu i Odës së Veterinerëve thotë se masat më të rëndësishme parandaluese të kësaj sëmundjeje janë: “asgjësimi i kafshëve, nëse është në dispozicion; kontrolli i lëvizjes së kafshëve, veçanërisht në zonat e prekura; zbatimi i masave të biosigurisë në ferma (dezinfektim, kufizim vizitorësh, ndarje të tufave të shëndosha nga ato të sëmura); raportimi i hershëm i simptomave tek autoritetet veterinare; izolimi i rasteve të dyshuara për të shmangur përhapjen”.
Sipas tij, është jetike që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe fermerët të bashkëpunojnë ngushtë për të ndalur përhapjen e PPR.
AUV njoftoi të enjten se ka nxjerrë vendim për ndalimin e lëvizjes së deleve dhe dhive nga fermat, tregtimin në tregjet dhe shitblerjen, groposjen e kafshëve në fermat të cilat rezultojnë të infektuara me PPR, dezinfektimin e objekteve dhe zonave përreth fermave dhe zonave përreth rasteve të shpërthimit të sëmundjes.
Ndër të tjera, AUV tha se ka obliguar komunat të përcaktojnë lokacionet për asgjësim të kafshëve të infektuara, sikurse edhe fermerët që menjëherë të njoftojnë veterinarinë në rast të ndryshimit të gjendjes shëndetësore të deleve dhe dhive në fermat e tyre.
Në fillim të qershorit, nga Shqipëria erdhi lajmi për përhapjen e kësaj sëmundjeje nëpër disa qytete të vendit.
Për pasojë, Kosova mori vendim që të ndalojë importimin e këtyre kafshëve nga ky shtet.
Çka është Murtaja e Ruminantëve të Vegjël?
Murtaja e Ruminantëve të Vegjël, që AUV i referohet edhe si Murtaja e kafshëve të vogla ripërtypëse (PPR) është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë. Ajo përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e sëmura, ndërsa burim i infeksionit janë sekrecionet dhe jashtëqitjet.
Shenjat klinike përfshijnë: temperaturë të lartë, rrjedhje nga hunda, inflamacion të syve, ulje të oreksit, diarre dhe në raste të rënda, ngordhje. Kjo sëmundje nuk është zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik. /Klankosova.tv
The post Murtaja e Ruminantëve të Vegjël godet financiarisht fermerët appeared first on Klan Kosova.