Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Turqinë në ndeshjen vendimtare të ‘play-off’-it të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, dhe sulmuesi i ekipit, Vedat Muriqi, ka dhënë një intervistë ekskluzive për mediat turke, duke folur për emocionet, pritshmëritë dhe sfidën që e pret ekipin e tij.
Muriqi theksoi karakterin dhe shpirtin luftarak të “Dardanëve”, të cilët në ndeshjen dramatike ndaj Sllovakisë treguan forcën e një grupi të ri dhe të vendosur. “Edhe pasi ishim duke humbur 1-0, nuk u dorëzuam kurrë. Jemi një ekip shumë i ri dhe luftojmë fort. Kemi lojtarë të rinj dhe të rëndësishëm”, deklaroi ai për HT Spor.
Sulmuesi foli gjithashtu për përballjen me Turqinë, duke kujtuar karrierën e tij atje dhe lidhjen e veçantë personale: “Shorti kundër Turqisë më ngjall ndjenja të përziera personalisht. Gjatë karrierës sime futbollistike, u bëra Vedat në Turqi… Për familjen time, Turqia zë një vend shumë të veçantë. Po përjetoj emocione komplekse”.
Ai pranoi se ndeshja do të jetë e vështirë sportivisht, pasi Turqia është favorite dhe nuk ka qenë pjesë e Botërorit për 24 vjet, por nuk e fshehu besimin se Kosova mund të bëjë surprizën me lojën kolektive: “Pa dyshim, Turqia është favorite. Avantazhi ynë është se do të luajmë në shtëpi. Duam të bëjmë më të mirën tonë, të luajmë futboll ekipor dhe të arrijmë qëllimin tonë”.
Muriqi foli edhe për lojtarët që do të jenë në dispozicion dhe rëndësinë e secilit: “Përveç Kenanit dhe Ardës, Ismaili lufton mirë kur i jepet mundësia, Baris Alper është në formë të shkëlqyer, dhe Yunusi bën një punë të mrekullueshme. Nëse dikush nuk luan, zëvendësuesit janë gjithashtu në formë të mirë. Talenti, cilësia dhe taktikat e ekipit janë të qarta; Turqia është një ekip kombëtar mbi ne, por ne do të luftojmë”.
“Dardanët” do ta presin Turqinë në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, të martën më 31 mars, me fillim nga ora 20:45, dhe fituesi i kësaj ndeshjeje do të kualifikohet në Kupën e Botës në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


