Me 29 shtator, qendërmbrojtësi Albian Hajdari zyrtarisht vendosi ta përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës, duke sjellë një gëzim të madh për gjithë popullin dardan.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, po atë ditë kur konfirmoi vendimin, ylli i Hoffenheimit tregoi se zgjedhja nuk ka qenë e lehtë, por në fund vendosi me zemër.
“Ka qenë një proces i gjatë dhe shumë i menduar. Kam rrënjë të thella si në Zvicër, ashtu edhe në Kosovë, dhe jam mirënjohës për gjithçka që federata zvicerane ka bërë për mua që nga fëmijëria. Në të njëjtën kohë, historia e familjes sime dhe identiteti im janë të lidhura fort me Kosovën. Pas shumë bisedave me familjen, këshilltarët dhe të dy federatat, ndjeva se përfaqësimi i Kosovës është rruga që pasqyron më së miri zemrën dhe trashëgiminë time,” deklaroi ai.
Albian Hajdari, stërvitja e parë me Kosovën
Pas këtij vendimi, Hajdari mori menjëherë ftesën e parë nga përzgjedhësi Franco Foda dhe u paraqit në stadiumin “Fadil Vokrri” për përgatitjet e ndeshjeve ndaj Sllovenisë dhe Suedisë. Mungesa e kapitenit Amir Rrahmani dhe dëmtimi i Lumbardh Dellovës bënë që Hajdari të shihej si alternativë kryesore për formacionin titullar.
Në fitoren 2-0 ndaj Suedisë në shtator, Foda aplikoi mbrojtjen me tre prapavijë, duke i dhënë mundësinë Hajdarit të startonte. Një detyrë aspak e lehtë, pasi përballë kishte emra si Benjamin Sesko, sulmuesi slloven që sot vlerësohet me 70 milionë euro, dhe Viktor Gyökeres, që vlen 75 milionë euro.
Albian Hajdari, debutimi me Kosovën ndaj Sllovenisë
Në ndeshjen e parë ndaj Sllovenisë, Hajdari bëri një paraqitje të shkëlqyer, duke neutralizuar plotësisht Seskon.
Ai u vlerësua si një nga më të mirët në fushë nga SofaScore, me notën 7.7. Statistikat e tij ishin mbresëlënëse: 10 spastrime, 4 rikuperime topi, 3 gjuajtje të bllokuara dhe 88% saktësi në pasime. Në atë takim, ai luajti në qendër të treshes mbrojtëse dhe udhëhoqi linjën me qetësi e siguri.
Ndërsa ndaj Suedisë, Hajdari u vendos në qendër të majtë të mbrojtjes dhe sërish shkëlqeu. Me notën 7.2 në vlerësimet statistikore, ai regjistroi 10 spastrime, 5 rikuperime topi dhe 1 bllokim gjuajtjeje, me 81% saktësi në pasime.
Përballë tij ishin dyshja e frikshme Alexander Isak dhe Viktor Gyökeres, por Kosova arriti ta mbajë portën e paprekur dhe të marrë një fitore historike si mysafire ndaj Suedisë.
Me Hajdarin në mbrojtje, Kosova ka gjetur stabilitet dhe forcë. Kombëtarja ka grumbulluar 4 pikë në dy ndeshjet e fundit, duke shkuar në 7 pikë gjithsej, dhe ëndrra për Kampionatin Botëror është më e gjallë se kurrë.
Vetëm 22 vjeç, Albian Hajdari ka fituar tashmë zemrat e tifozëve dardanë dhe shihet si shtylla e mbrojtjes së së ardhmes për Kosovën. /Telegrafi/