Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë me dije se punonjëset e sektorit publik që kanë qenë në pushim të lehonisë gjatë 12 muajve të fundit kanë marrë pagën e 13-të, pasi koha e kaluar në lehoni llogaritet si kohë pune me orar të plotë.
“Më 31 mars është ekzekutuar paga e 13-të për rreth 85 mijë punonjësit e sektorit publik në Kosovë. Paga është ndarë me vendim të Qeverisë, e plotë për ata që kanë mbushur 12 muaj punë, ndërsa për ata që kanë më pak se një vit punë, paga ndahet proporcionalisht,” tha Murati.
Ai theksoi se gratë të cilat nuk e kanë marrë ende pagën, duhet të paraqesin ankesë te institucionet ku janë të punësuara, pasi mund të ketë pasur deklarim të gabuar.
“Të punësuarat që janë në pushim të lehonisë përgjatë periudhës u llogaritet sikur të kenë punuar me orar të plotë. Prandaj edhe u takon paga e 13-të. I inkurajojë që të paraqesin ankesë te institucionet ku janë të punësuara sepse shpesh varet se si është deklaruar nga institucioni. Nëse ka pasur deklarim të gabuar, nuk figuron si e punësuar që është në pushim të lehonisë dhe mund të ketë ndodhur ndonjë gabim sa i përket trajtimit, por ajo mund të korrigjohet dhe patjetër në muajin e ardhshëm mund të reflektohet,” tha ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


