Saturday, March 7, 2026
spot_img
HomeLajmeMurati si shefi i tij Kurti: Dikur thoshte se me 4 mars...

Murati si shefi i tij Kurti: Dikur thoshte se me 4 mars është afati i fundit për president, tash ndryshon fjalët

Sikurse shefi i tij i partisë dhe i qeverisë Albin Kurti, edhe ministri i Financave, Hekuran Murati ka rënë ndesh me deklarimet e tij në lidhje me afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

Në një paraqitje televizive në Kanal10, më 25 dhjetor të vitit të kaluar, 3 ditë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Murati thoshte se nëse Presidenti nuk zgjidhet deri më 5 mars, atëherë shpërndahet Kuvendi, raporton Klankosova.tv.

Derisa ai po fliste përballë analistëve, ai u shpreh: “Me datën 4 mars na duhet me zgjedh presidentin apo presidenten e re. Nëse nuk zgjidhet, duhet me u shpërnda Kuvendi, apo jo?”.

Ndërkaq, të premten (6 mars, 2026), gjatë një interviste në T7, Murati ka komentuar dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, duke thënë se i njëjti është “rishkrim i Kushtetutës”.

Murati ka deklaruar edhe se “nuk ka pasojë juridike” që thotë se bëhet shpërndarja e Kuvendit nëse kalohet afati 30 ditësh.

“Në atë paragraf nuk është se ka ndonjë pasojë juridike apo kushtetuese për sa i përket tejkalimit të atij afati. Nëse kishim mujt me krahasu me vitin e kaluar, kur ishte ngërçi në Kuvend për konstituim, edhe aty, te përzgjedhja apo konstituimi i Kuvendit, është një afat 30-ditor ku thotë që Kuvendi duhet të konstituohet jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të rezultatit, pra është një afat. Por, meqenëse as aty nuk parashihet se ka pasojë juridike apo kushtetuese ndonjë veprim tjetër me automatizëm, ne e kemi parë që me gjithë me katër a pesë përgjigje të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka pasur qasje të atillë që ajo të interpretohej si shpërndarje apo rrezikim i situatës ku vendi do të shkonte në zgjedhje”.

“Nëse thirremi në Nenin 86 paragrafi 2, ky është një kufi kushtetues, mirëpo nuk ka pasoja për sa i përket tejkalimit të këtij afati. Prandaj, është absurde edhe të mendohet se tejkalimi i këtij afati çon me automatizëm në shpërndarje të kuvendit, e pastaj edhe shpalljen e zgjedhjeve”.

“Pra, ky dekret përben tejkalim, dhe është rishkrim i Kushtetutës, pra thirret në diçka që nuk ekziston. Sepse nuk ka pasojë juridike që thotë se me automatizëm shpërndahet Kuvendi nëse tejkalohet ky afat”, u shpreh Murati mes tjerash.

Njëjtë kishte deklaruar më parë edhe kryeministri Albin Kurti në një intervistë për Kosovapress, ndërsa të enjten, në një konferencë për media, e tha të kundërtën.

Koha kur Kurti thoshte se më 4 mars duhet të zgjidhet presidenti ose shpallen zgjedhjet

Presidentja Vjosa Osmani, të premten në mëngjes njoftoi se ka dekretuar shpërndarjen e legjislaturës së 10-të për shkak të, siç u shpreh ajo, dështimit të deputetëve që të zgjedhin Presidentin e vendit një ditë më parë.

Seanca për zgjedhjen e Presidentit u thirr mbrëmjen e së enjtes (5 mars), por u konstatua se nuk ka kuorum, pasi në sallë ishin vetëm 66 deputetë, kurse nevojiteshin minimumi 80 për të vazhduar tutje.

Kështu, kryetarja e kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi për ndërprerjen e seancës. /Klankosova.tv

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT