Murati: Komuna e Prishtinës ka kthyer qindra miliona euro të pashpenzuara

Murati: Komuna e Prishtinës ka kthyer qindra miliona euro të pashpenzuara

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar ashpër Komunën e Prishtinës për menaxhimin e buxhetit gjatë viteve të fundit, duke e quajtur “të pafalshëm” kthimin e dhjetëra miliona eurove të pashpenzuara çdo vit.

Përmes një postimi në Facebook, Murati ka publikuar shifra të suficitit (mjete të pashpenzuara buxhetore) të Komunës së Prishtinës për tre vitet e fundit.


“Viti 2022: 49 milionë euro të pashpenzuara. Viti 2023: 53 milionë euro të pashpenzuara. Viti 2024: 34 milionë euro të pashpenzuara. Kurse për vitin 2025 i cili ende nuk ka përfunduar, me shumë gjasë suficiti përsëri do ta kalojë 50+ milionë euro”, ka shkruar Murati.

Ai ka shtuar se secilin vit të qeverisjes janë me dhjetëra miliona euro që i kanë tepruar të pashpenzuara dhe i ka kthy mbrapa.

“Ama Përparim Rama ankohet që s’ka pasë buxhet dhe qeveria e paska diskriminu,” ka shkruar Murati.

Ministri në detyrë e ka quajtur “të turpshme” situatën ku sipas tij, ndërkohë që Prishtina përballet me probleme të shumta si menaxhimi i mbeturinave, mungesa e çerdheve publike, apo infrastruktura e papërfunduar, komuna nuk arrin të shfrytëzojë mjetet e veta financiare.

“Është marre për një kryetar me i kthy 50 milionë euro të pashpenzume në fund të vitit, përderisa ke probleme me bërllok, me qenë endacakë, me mungesë të çerdheve, e infrastrukturë të pakompletuar”, ka shkruar Murati. /Telegrafi/