Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një intervistë për Ekonomia Online, ka deklaruar se të gjitha barnat që gjenden në stokun e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) tashmë janë bërë publike, pas raportimeve për mungesa të shumta të barnave esenciale në klinikat e QKUK-së, veçanërisht për pacientët me kancer.
Ai tha se ka pasur raportime të vazhdueshme, shpeshherë edhe të pakonfirmuara, për mungesë të barnave.
“Ka pas raportime të vazhdueshme shpeshherë edhe jo të konfirmuara për mungesë të barnave gjatë gjithë kësaj kohe. Prandaj përmes bordit të SHSKUK-së kam kërkuar që të bëhen publike të gjitha barnat të cilat janë në stoqet e barnatores qendrore në SHSKUK, por jo vetëm. Në këtë drejtim u bënë tash disa muaj që bëhet ky raportim dhe qytetarët në mënyrë që mos të krijohet konfuzitet për barnat të cilat janë apo nuk janë, tash edhe mediat edhe qytetarët mund të shikojnë në faqen, në uebfaqen e SHSKUK-së që cilat barna janë në stoqet tona”, tha ai për EO.
Ministri u bëri thirrje qytetarëve që të raportojnë menjëherë nëse hasin në mungesë të barnave që figurojnë në stok.
“Dhe në këtë mënyrë i ftoj të gjithë qytetarët që për barnat të cilat konfirmohet që janë në stoqe dhe nuk i gjenden kur, kur shkojnë, të bëjnë menjëherë lajmërimin edhe në SHSKUK edhe në Ministrinë e Shëndetësisë dhe ju garantoj që do të merren masat adekuate”, tha ai.
Ai pranoi se herë pas here mund të ketë mungesa tranzitore të barnave, duke i arsyetuar me vonesa nga operatorët ekonomikë.
“Po, herë pas here ndodh që të kemi mungesa tranzitore të barnave, qoftë për shkak të vonesave në sjelljen e tyre nga operatorët e ndryshëm ekonomik, të cilët natyrisht pastaj konform ligjeve në fuqi penalizohen për vonesat. Mirëpo prapë po e përsëris, të gjitha barnat që gjenden në stokun e SHSKUK-së tashmë janë publike dhe të gjithë qytetarët pa dallim, përfshirë këtu edhe mediat, kanë qasje në këtë listë dhe natyrisht ju ftojmë edhe juve që të raportoni kur ka raste të cilat qytetarët mund të raportojnë se mungon ndonjë bar tjetër dhe ta bëjmë publike dhe të ndërmarrim masa nëse këto raporte nuk janë të sakta”, tha ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


