Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se për shkak të rrjedhjeve të ujit në pjesën e kanalit që është dëmtuar nga sulmi terrorist, për të ruajtur sigurinë e kanalit, ka qenë e domosdoshme të bëhet zgjidhje e re inxhinierike. Si rrjedhojë, komunat që furnizohen me ujë nga Ibër Lepenci mund të kenë reduktime gjatë ditës së sotme.
Në një postim në Facebook, ministrja tutje thotë se intervenimet në kanal sapo kanë përfunduar dhe furnizimi i kanalit me ujë ka rifilluar, ndërsa nivelet e ujit në Termocentralin Kosova B janë monitoruar dhe kanë qenë të mjaftueshme përgjatë gjithë kohës, njofton Klankosova.tv.
“Qytetarët inkurajohen të ndjekin njoftimet e Kompanive Rajonale të Ujësjellësit për informata të sakta rreth furnizimit me ujë”, ka shkruar më tutje Rizvanolli, njofton Klankosova.tv.