“Mund ta shihni qartë se kush po luan mirë” – Enrique nuk donte ta udhëhiqte pjesën e parë nga stoli

"Mund ta shihni qartë se kush po luan mirë" - Enrique nuk donte ta udhëhiqte pjesën e parë nga stoli

PSG hyri në ndeshjen e kampionatit kundër Lens (2-0) me një detaj që befasoi shumëkënd, me vendimin që kishte marr trajneri i parisienëve.

Luis Enrique vendosi ta menaxhonte pjesën e parë në një mënyrë të pazakontë, një qasje që rrallë shihet në futbollin evropian dhe që mund të kthehet në trend në të ardhmen.


Çfarë bëri Luis Enrique?

Në vend që të ulej në stol, trajneri spanjoll e ndoqi pjesën e parë nga zona e shtypit. Siç shpjegoi më vonë, idenë e kishte marrë nga sporte të tjera, kryesisht ragbi, ku trajnerët shpesh ndjekin lojën nga një kënd më i lartë për të pasur një analizë më të qartë.

“Kam parë se si trajnerët në regbi analizojnë ndeshjet nga një perspektivë krejt tjetër. Doja ta provoja dhe ishte shumë mirë. Nga tribuna kontrollon gjithçka dhe sheh më qartë”, deklaroi Enrique.

Përparësitë që vuri re

Nga pozicioni më i lartë, ai tha se kishte pamje më të qartë të lojës dhe lojtarëve, gjë që i lejoi të bëjë korrigjime të sakta gjatë pjesës së parë.

“Pas kësaj, mund të mbash një fjalim perfekt në pushim sepse ke informacion të plotë se kush luajti mirë dhe kush jo”, shtoi ai.

Luis Enrique

Do të bëhet praktikë e zakonshme?

Trajneri i PSG-së nuk e përjashton mundësinë ta përdorë sërish këtë metodë, duke besuar se i jep avantazh konkurrues. Ideja e tij ka hapur debat nëse trajnerë të tjerë mund ta aplikojnë të njëjtën mënyrë për të përmirësuar përgatitjen taktike dhe vendimmarrjen.

Eksperimenti i Luis Enrique tregon qartë prirjen e tij për inovacion dhe gatishmërinë për t’u frymëzuar nga sporte të tjera.

Edhe pse e pazakontë, kjo qasje mund të jetë fillimi i një ndryshimi në mënyrën se si trajnerët menaxhojnë ndeshjet në nivelin më të lartë. /Telegrafi/