E premte, 18 Korrik, 2025
spot_img
HomeLajmeMujku: Osmani po përpiqet ta ndalojë skenarin e Banjskës

Mujku: Osmani po përpiqet ta ndalojë skenarin e Banjskës

Gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka pasur informacione për futjen e armatimit në mënyrë të jashtëligjshme që prej marsit të vitit 2023, ndërsa agresioni në Banjskë ka ndodhur në shtator të po atij viti.

Mujku komentoi konferencën e presidentes Vjosa Osmani, e cila tha sot në fund të muajit maj kanë marrë informacione specifike nga institucionet e sigurisë për veprime të Serbisë në kufi me Kosovën, ku tha se po përpiqet ta ndalojë skenarin e agresionit në Banjskë.

“Tash presidentja po mundohet ta bëjë krahasimin e njëjtë, të tregojë se kanë informacione pak më herët, dy muaj më herët dhe e krahason me atë çfarë ka ndodhur në Banjskë dhe ndalet këtu dhe përpiqet ta ndalojë skenarin e njëjtë”.

“Mirëpo një element tjetër shumë interesant dhe që i dha vulë gjithë asaj kakofonisë mes presidencës dhe qeverisë, sidomos dy javëve të fundit ku as ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, as kryeministri në detyrë e as ministri në detyrë i Mbrojtjes nuk janë deklaruar është që ata s’i komentojnë deklaratat jo vetëm të Osmanit por as të presidentit Trump”, tha Mujku në Rubikon në Klan Kosova.

Tutje, ajo u shpreh se nëse situata ka qenë kaq serioze, kabineti qeveritar, ndonëse në detyrë, duhet të tregojë se pse nuk është thirrur asnjë mbledhje e Këshillit të Sigurisë.

“Nëse situata ka qenë kaq serioze në fund të majit sa po e thotë Osmani, sa të mbërrij edhe në tavolinën e Trumpit për ta përmendur prej 15 qershorit edhe pesë herë së paku, lind pyetja për kabinetin qeveritar se pse nuk ka pasur mbledhje të Këshillit të Sigurisë”, tha ajo.

The post Mujku: Osmani po përpiqet ta ndalojë skenarin e Banjskës appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT