Për shkak të muajit të Ramazanit, Qendra e Studentëve – Prishtinë ka njoftuar për ndryshime në orarin e mensës dhe në hyrje-daljet në konvikte, për t’ua lehtësuar studentëve organizimin e syfyrit dhe iftarit.
Në njoftimin drejtuar studentëve, bëhet e ditur se, në kuadër të Ramazanit, do të ketë rregullime të veçanta për organizimin e shujtave dhe hyrje-daljeve në konvikte.
Sa i përket syfyrit, mensa do të ofrojë shujta të thata të paketuara, në mënyrë që studentët të kenë mundësi për një ushqim të përshtatshëm gjatë kësaj kohe. Këto shujta do të mund të merren çdo ditë gjatë orarit të drekës, në një linjë të veçantë ushqimi të dedikuar për këtë qëllim.
Ndërkaq, për shkak të numrit të madh të studentëve gjatë iftarit dhe mundësisë së mbingarkesës së hapësirave të brendshme të restorantit, në të gjitha linjat do të servohet edhe ushqim i paketuar. Studentët do të kenë mundësi ta marrin ushqimin me vete dhe ta konsumojnë në dhomat e tyre në konvikte.
Po ashtu, është bërë e ditur se gjatë muajit të Ramazanit do të ndryshojë përkohësisht edhe orari i hyrje-daljeve në konvikte. Për t’ua lehtësuar përgatitjet për syfyr, hyrje-daljet do të lejohen nga ora 03:00 deri në përfundim të kohës së syfyrit.
Nga Qendra e Studentëve është theksuar se ky ndryshim është i përkohshëm dhe se pas përfundimit të muajit të Ramazanit, orari i mëparshëm i hyrje-daljeve do të rikthehet në fuqi. Studentët janë falënderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


