Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar që ka nënshkruar memorandumet e para këtë vit me federatat sportive për zhvillimin e aktiviteteve të tyre.
Sipas këtyre memorandumeve, federatat në fjalë parashihet që 30 për qind të shumës së përfituar t’ua dedikojnë aktiviteteve sportive për vajza dhe gra.
“Pas përmbylljes së procesit të kategorizimit, janë nënshkruar memorandumet e para të këtij viti me federatat sportive, për zhvillimin e aktiviteteve të tyre vjetore përgjatë vitit 2025”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
“Memorandumet sot janë nënshkruar me Federatën e Hendbollit, Karatesë, Pingpongut, Notit dhe atë të Triathlonit, të cilat i kanë kryer me sukses obligimet e tyre për harmonizimin e akteve normative në përputhje me Ligjin e ri të Sportit, dhe me ç’rast u hapet rruga e përfitimit financiar përmes këtyre memorandumeve”.
“Zëvendësministrja Daulina Osmani me këtë rast i njoftoi federatat prezente që sivjet është paraparë që çdo federatë ta ketë për obligim që së paku 30% të shumës totale të përfitimit t’ia dedikojnë aktiviteteve sportive për vajza dhe gra, me qëllim të zhvillimit dhe fuqizimit të mëtejmë të sportit femëror në vend”.
“Buxheti vjetor i federatave është përcaktuar përmes shumëzimit të pikës nga vlerësimi në kategorizim dhe vlerës së pikës të përcaktuar nga Ministri”.
The post MRKS memorandum me federatat: 30% të përfitimeve u dedikohen aktiviteteve sportive për vajza dhe gra appeared first on Klan Kosova.