Reperi i njohur Mozzik ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas ndalimit të tij ditë më parë në aeroport, duke e cilësuar rastin si një “sulm politik” të motivuar nga inate personale brenda radhëve të Vetëvendosjes.
Në një postim në Facebook, ai shkruan se disa persona nga partia në pushtet “e kanë personale” me të prej kohësh dhe se incidenti i fundit me orën ishte i orkestruar.
“Kjo që ndodhi me orën këto ditë ishte një lojë me skenar nga unë, por e vërteta është se ata e kanë bërë çështje personale me mua prej shumë kohësh – dhe këtë e dini edhe vetë”, theksoi Mozzik.
Ai iu bëri thirrje zyrtarëve që ishin në detyrë atë natë të flasin hapur, duke pretenduar se kanë qenë nën presion të politikanëve Hekuran Murati dhe Dimal Basha.
“Dilni dhe kallxoni se kjo ishte sulm politik – sepse nuk ka asgjë për t’u turpëruar”, shtoi ai.
Mozzik tha se tash e dy vjet është përballur me padrejtësi nga Administrata Tatimore e Kosovës, por mohoi kategorikisht që paratë e tij të jenë fituar në mënyra të paligjshme.
“Ama jo, jo – nuk i kam fituar paratë as me drogë, as me hajni. I kam fituar vetëm me talentin tim. Dhe me orë fallco nuk mundet askush të më tatimojë me mijëra e mijëra euro”, u shpreh reperi.
Ai gjithashtu i drejtoi një pyetje publike kryeministrit të Kosovës:
“A është në dijeni Kryeministri për këto inate personale të vendasëve të mi ndaj meje?!”
Në një tjetër reagim në Instagram, Mozzik riktheu në vëmendje një vjedhje që kishte ndodhur në shtëpinë e tij në tetor të vitit 2022, me një dëm prej rreth 700 mijë eurosh.
“Masi u kap kjo temë, mu n’tetor m’bohen 2 vite që m’kanë vjedhë hajnat n’shpi me dam afro 700 mijë euro, armë me leje, ora origjinale e gjëra tjera. As edhe ni qorapë s’mu ka kthy e as su gjind kurgjo”, shkroi ai.
Reperi pohoi se pas vjedhjes kishte gjetur pajisje GPS të vendosura në makinat e tij private dhe shprehu zhgënjimin me institucionet, duke theksuar se si një nga artistët shqiptarë që kontribuon më së shumti si tatimpagues, ndjehet i tradhtuar.
“M’keni zhgënjy! Po keni dal bllof!”, përfundoi Mozzik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!