Jose Mourinho është zyrtarisht trajneri i ri i Benficës dhe sot ka dhënë deklaratat e para si drejtues i klubit portugez.
I emocionuar, por edhe i vendosur, “Special One” u shpreh se rikthimi në vendlindje pas më shumë se dy dekadash ka një domethënie të veçantë për të.
“Kam shumë emocione, por përvoja më ndihmon t’i kontrolloj. Falënderoj të gjithë për besimin. Unë jam portugez dhe mes nesh nuk ka askënd që nuk e di historinë, kulturën dhe madhështinë e Benficës. Jam trajner i njërit prej klubeve më të mëdhenj në botë dhe dua të përqendrohem vetëm në këtë mision,” tha Mourinho në fjalën e tij të parë.
Trajneri 62-vjeçar rikthehet në futbollin portugez pas 25 vitesh karrierë të mbushur me trofe e suksese ndërkombëtare. Ai kujtoi klubet që ka drejtuar gjatë rrugëtimit të tij – Porto, Chelsea, Inter, Real Madrid, Manchester United, Tottenham, Roma dhe Fenerbahçe – por bëri të qartë se asnjë prej tyre nuk i ka dhënë atë që po ndien sot në Lisbonë.
“Nuk jam këtu për të treguar karrierën time. Po, kam punuar në klube gjigante, por asnjë prej tyre nuk më ka dhënë këtë ndjenjë nderi, përgjegjësie dhe motivimi si Benfica. Këtu është ndryshe. Do të jetoj për Benficën, për këtë mision,” u shpreh ai me bindje.
Emërimi i Mourinhos shihet si një hap historik për klubin e madh portugez, i cili synon të rikthehet në majat e futbollit evropian. Ndërkohë, për vetë trajnerin, ky është një kapitull i ri në karrierën e tij të pasur, por njëkohësisht edhe më personal se kurrë më parë, duke qenë se për herë të parë pas një kohe të gjatë ai do të udhëheqë një klub në vendin e tij./Telegrafi/