Mourinho është gati të bëjë një rikthim sensacional si trajner i klubit të njohur
Jose Mourinho mund të rikthehet shumë shpejt në zejen e trajnerit dhe atë hiç më pak se te klubi i madh portugez, Benfica.
Bruno Lage nuk është më trajner i Benficas. Humbja ndaj Qarabag (3-2) në shtëpi në raundin e parë të Ligës së Kampionëve ishte fatale për trajnerin portugez i cili u largua nga klubi pas një marrëveshjeje me presidentin Rui Costa.
Kjo i dha fund mandatit të dytë të Lage në stolin e Benficas, dhe klubi portugez më pas konfirmoi zyrtarisht largimin e tij në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të internetit.
Vetëm pak orë pas konfirmimit të largimit të Lage, mediat portugeze njoftuan se Benfica kishte arritur një marrëveshje në parim me Jose Mourinhon, i cili pritet të marr përsipër stolin e klubit të famshëm të Lisbonës.
Mourinho ka qenë jashtë loje që kur u largua nga Fenerbahçe, pikërisht për shkak të humbjes ndaj Benficës në kualifikueset e Ligës së Kampionëve.
Ironikisht, është tani Benfica klubi që ai mund të rikthehet në skenën e madhe.
Mourinho e filloi karrierën e tij si trajner kryesor te Benfica, në vitin 2000, kur e udhëhoqi ekipin vetëm në dhjetë ndeshje përpara se të largohej nga klubi për shkak të mosmarrëveshjeve me drejtuesit e asaj kohe.
Megjithatë, nga ajo periudhë e shkurtër, mbahet mend fitorja bindëse kundër Sportingut (3-0), që ishte edhe ndeshja e fundit që ai drejtoi për Benficën.
Pas kësaj, pasoi një ngritje e rrallë: Porto, Chelsea, Inter, Real Madrid… Mourinho u bë një nga trajnerët më të suksesshëm dhe më të njohur të shekullit të 21-të. Në vitet e fundit të karrierës së tij, ai drejtoi Tottenham, Romën dhe Fenerbahçen, por pa shumë sukses përveç fitimit të Ligës së Konferencës me romakët.
Për Rui Costan, sjellja e Mourinhos mund të përfaqësojë gjithashtu një lëvizje politike, duke pasur parasysh presionin në rritje brenda klubit dhe spekulimet rreth rikthimit të mundshëm të Joao Noronha Lopes në garën për president. /Telegrafi/