Ish-trajneri i Fenerbahçes, Jose Mourinho, ka mbërritur në Portugali, ku ka folur për herë të parë rreth mundësisë së marrjes së drejtimit të Benfikës pas shkarkimit të Bruno Lage.
62-vjeçari u prit nga mediat lokale në aeroportin e Cascais në Tires, rreth 30 kilometra larg Lisbonës.
Ai konfirmoi se Benfica tashmë e kishte kontaktuar për të diskutuar mbi rolin e trajnerit kryesor.
“Para se të hipja në aeroplan, më pyetën nëse do të isha i interesuar për punën te Benfica. Thashë po, ishte e mundur. Klubi më pyeti zyrtarisht dhe u përgjigja se sapo të kthehesha në Portugali, do të takohem me kënaqësi me drejtuesit”, deklaroi Mourinho.
Tekniku portugez shtoi se nuk kishte asnjë hezitim për të marrë drejtimin e Benficas.
“Kur më ofruan mundësinë për të trajnuar Benfikën, nuk mendova dy herë. Jam i interesuar. Respektoj Bruno Lagen dhe i uroj më të mirën. Ai e di që kthimi im në Portugali, edhe pse i paplanifikuar, mund të jetë një hap i natyrshëm, qoftë edhe për ekipin kombëtar. Por nëse bëhet fjalë për Benfikën… më thoni, cili trajner do t’i thoshte jo? Unë sigurisht që jo”, shtoi Mourinho.
Mourinho pranoi se dëshira e tij është të rikthehet sa më shpejt në punë.
“E lashë klubin tim të fundit tre apo katër javë më parë dhe nuk kisha ndërmend të qëndroja pushim deri në fund të sezonit, kjo nuk është natyra ime. Doja të isha trajner, por i thashë vetes të ruaja ekuilibrin emocional, të mos pranoja çdo ofertë vetëm pse dua të punoj. Në këtë rast, kur erdhi Benfika, nuk hezitova. Jam i interesuar dhe do ta pranoja me kënaqësi”, përfundoi trajneri portugez.
Ndërkohë, më 17 shtator, presidenti i Benfikës, Rui Costa, konfirmoi shkarkimin e Bruno Lages, pas humbjes tronditëse 3:2 ndaj Qarabag në Ligën e Kampionëve, pavarësisht se skuadra po kryesonte 2:0.
Mourinho ishte në krye të Benficas në vitin 2000, por që e kishte udhëhequr skuadrën e madhe portugeze në vetëm 10 ndeshje. /Telegrafi/