Mourinho e ka ‘këshilluar’ Amorimin se si ta shmangë shkarkimin nga Man Utd

Mourinho e ka ‘këshilluar’ Amorimin se si ta shmangë shkarkimin nga Man Utd

Trajneri i Benficës, Jose Mourinho, beson se futbolli ka ndryshuar që nga fillimi i karrierës së tij menaxheriale 25 vite më parë.

Mourinho u rikthye në “Estadio Da Luz” muajin e kaluar, pasi u shkarkua nga posti i trajnerit të Fenerbahces. Ndërsa po përgatitej për një sezon të ri në Stamboll që nuk ndodhi kurrë për të, ai lavdëroi virtytin e përshtatshmërisë në një intervistë dhe argumentoi se fitorja duhet të jetë më e rëndësishme sesa ndjekja kokëfortë e një sistemi për të bërë emër.


“Sot nuk ekziston më një model unik loje. Ekzistojnë shumë mënyra për të luajtur. Nuk ka më një sistem të vetëm taktik, ka shumë mënyra për të ndërtuar dhe për të mbrojtur”.

“Kjo kërkon stërvitje shumë më të thelluar nga ana taktike, ku lojtarët duhet të rriten dhe të fitojnë njohuri të reja”.

“Problemi është kur dikush përpiqet të kopjojë e ngjisë pa pasur kushtet e nevojshme për ta bërë këtë”, ka thënë Mourinho.

Tekniku portugez theksoi se rivali i tij i kahershëm, Pep Guardiola, ka ditur të dallojë kur nuk i ka pasur elementët e nevojshëm për të luajtur ashtu siç dëshironte.

Megjithatë, jo të gjithë trajnerët kanë luksin të heqin dorë nga një lojtar si Joe Hart dhe të sjellin një tjetër si Ederson, dhe Mourinho nuk ka shumë mirëkuptim për trajnerët që humbasin në teoritë e tyre dhe më pas dështojnë.

“Ka trajnerë që provojnë gjëra që nuk funksionojnë dhe dështojnë, por thonë: ‘Vdiqa me idenë time’. Nëse vdes me idenë tënde, je budalla. Trajnerët duhet t’i përshtatin idetë e tyre me atë që kanë në dispozicion”, përfundoi fituesi i trefishtë i Ligës Premier.

Një trajner që mund të marrë në konsideratë këshillat e Mourinhos është Ruben Amorim, bashkëkombësi i tij dhe aktualisht trajneri i Manchester United, i cili ka mbetur kokëfortë ndaj qasjes së tij taktike, edhe pse rezultatet duket se i tregojnë qartë se duhet të ndjekë një drejtim tjetër./Telegrafi/