Gazetari dhe ish-diplomati Ylber Hysa, ka treguar arsyet personale që e kishin shtyrë të tërhiqej nga politika pas përfundimit të bisedimeve të Vjenës dhe pak para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
“Në këtë kohë, gjatë bisedimeve në Vjenë dhe në kohën e zgjedhjeve, unë e mora vesh që motra ime është duke vdekur prej kancerit, ka qenë një kohë të gjatë dhe ajo s’më ka treguar me qëllim, ka dashur që unë të jem 100 përqind i angazhuar në Vjenë, kah fundi kur e kam marrë vesh unë kam vendosur që këtë kohë ta kaloj me të, dhe në atë kohë e kam ble një laptop dhe kam vendosur ta shkruaj librin “Shqiptarët dhe të tjerët” që ia kam dediku asaj, kjo ishte koha e Kërshëndellave, ndërsa ajo me 4 janar ka vdekur, kështu që në atë kohë kam pasur preokupime shumë më të mëdha sesa a do të jem nënshkrues, apo jo i pavarësisë, për mua ka qenë gjithmonë me rëndësi procesi më shumë sesa roli im në të”, tha Hysa në Rubikon të Klan Kosovës.
Megjithatë, ai kishte qenë pjesëmarrës në seancën historike të 17 shkurtit 2008, falë ftesës së Kadri Veselit.
“E falënderoj Kadri Veselin, i cili e ka ndjerë që unë duhet të jem në sallën e Parlamentit kur të shpallet pavarësia bashkë me disa njerëz të merituar ndërkombëtarë, njëri nga ta nga Parisi që na ka ndihmuar shumë. Kështu që kam qenë pjesëmarrës në shpalljen e pavarësisë, por si spektator”, tha Hysa.
The post “Motra po vdiste nga kanceri”- Hysa tregon pse s’ishte në politikë gjatë shpalljes së pavarësisë appeared first on Klan Kosova.

