Kosova pritet të përfshihet nga kushte të këqija atmosferike të enjten, me reshje të dendura që fillimisht do të jenë shi, por që gradualisht do të kthehen në borë në disa zona të ulëta të vendit.
Sipas parashikimit të MeteoKosovës, dita e enjte do të jetë e vranët me reshje të vazhdueshme atmosferike që do të fillojnë në formë shiu në pjesën më të madhe të territorit.
Zonat malore do të jenë të parat që do të përjetojnë reshje në formë bore që në orët e para të ditës. Megjithatë, gjatë pasdites dhe mbrëmjes, reshjet pritet të shndërrohen në shqotë dhe borë edhe në disa zona të ulëta, veçanërisht në Rrafshin e Kosovës.
Intensiteti më i madh i reshjeve parashikohet të ndodhë gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës, me përqendrim të veçantë në zonat juglindore, lindore dhe verilindore të vendit.
MeteoKosova paralajmëron mundësinë e vërshimeve lokale si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, ndërsa në zonat ku do të ketë reshje bore pritet të formohen shtresa bore.
Kushtet atmosferike do të shoqërohen edhe me erë të fuqishme nga drejtimi verior, e cila herë pas here pritet të arrijë shpejtësi prej 15 deri në 45 kilometra në orë.
Temperaturat do të pësojnë një ulje të theksueshme, me vlera minimale që do të lëvizin prej 4 deri në 6 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale prej 5 deri në 8 gradë. Gjatë orëve të pasdites, temperaturat do të vazhdojnë të ulen edhe më tutje.
Qytetarët këshillohen të marrin masa paraprake për kushtet e këqija të motit, veçanërisht ata që udhëtojnë në zonat malore dhe rrugët që priten të preken nga reshjet e borës.
MeteoKosova do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të informojë publikun për çdo ndryshim të mundshëm në kushtet atmosferike.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!